Mbi 74 mijë euro është shuma që Tribuna Media Group i ka borxh Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo shumë do të duhej të paguhej për qiranë e objektit që e shfrytëzon e që është në menaxhim të AKP-së. Pavarësisht këtij borxhi një kontratë e re mes AKP-së dhe Tribuna Media Group është nënshkruar në fillim të qershorit.

Tribuna Media Group, përveç borxhit prej qindra-mijëra euro ndaj ish-punëtorëve të saj, ky medium i ka borxh Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, në shumë fikse prej 74 mijë e 186 euro e 69 cent.
Ky borxh është krijuar nga qiraja që ky medium duhet t’i paguajë AKP-së, shkruan Insajderi.
Pavarsisht borxhit një kontratë tjetër është nënshkruar mes AKP-së dhe Tribuna Media Group, për vazhdimin e shfrytëzimit të objektit dhe pagesën e borxhit me këste.
“Përveç pagesës mujore të lartcekur, qiramarrësi është i obliguar të paguajë edhe borxhin paraprak në shumë prej 74,186.69€ i cili është i mbartur nga periudhat e mëparshme dhe rrjedh si shkak i mos pagesës në kohë të qerasë mujore. Qiramarrësi pajtohet që këtë borxh ta paguaj në 12 këste të barabarta mujore për një vit (6,182.22€ në muaj), me efekt nga data 01.06.2018”, thuhet në përgjigjen e AKP-së dhënë për Insajderi.
Në një përgjigje për Insajderi, AKP ka treguar hollësi të kontratës në mes tyre dhe Tribuna Media Group, që kjo e fundit ta shfrytëzojë me qira objektin për ta shtrirë veprimtarinë e tyre mediale.
Sipas AKP-së, objekti që Tribuna Media Group, e ka në shfrytëzim është i madhësisë prej 970 metra katrorë, dhe qiraja mujore që ky medium duhet t’i paguajë AKP-së, është 2 mijë e 563 euro.
“Kontrata aktuale e qirasë ka filluar më 01.06.2018 dhe përfundon më 31.05.2019. Qiramarrësi është i obliguar dhe pajtohet që t’i paguaj qiradhënësit për Lokalet Afariste për sipërfaqen prej 570 metra katrorë dhe për sipërfaqen prej 400 metra katrorë shumën prej: a-1,663.19 € për sipërfaqen prej 570 metra katrorë (me TVSh të përfshirë për një muaj kalendarik), dhe b- 900.00 € për sipërfaqen prej 400 metra katrorë (me TVSh të përfshirë për një muaj kalendarik)”
“Gjithsej 2,563.19 € për sipërfaqen prej 970 metra katrorë (me TVSh të përfshirë për një muaj kalendarik). Në rast se është e aplikueshme, konform me ligjin tatimor në fuqi do të aplikohet edhe mbajtja në burim 9% tatimi në qira”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Insajderi para disa ditësh kishte sjellë rrëfimet e dhjetëra punëtorëve, të cilët kanë treguar për borxhin që Tribuna Media Group, e ka ndaj tyre. Borxh i cili kap shifrat e qindra-mijëra euro.
Po ashtu, Insajderi kishte raportuar edhe për lidhjet familjare, që dy drejtorët e televizionit Tribuna, Sejdi Demiri dhe Besiana Hoti-Demiri, i kanë me politikanë vendorë dhe me zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Pas raportimit të Insajderit, ka ardhur edhe reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga Prokuroria nisje e hetimeve ndaj televizionit Tribuna Channel./Insajderi