fbpx

“Tema e nxehtë” që LDK dhe VV ende se kanë folur sipas Hotit

“Tema e nxehtë” që LDK dhe VV ende se kanë folur sipas Hotit

Kandidati i koalicionit LAA për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se janë duke përafruar qëndrimet me Vetëvendosjen në mënyrë që të arrijnë një koalicion qeverisës, nëse koalicioni fitues PDK-AAK-Nisma nuk arrin të themelojë qeverinë.

“Definitivisht PAN-i nuk i ka votat as për konstituim të Kuvendit as për themelim të Qeverisë. Duhet të lëvizim sa më shpejtë në themelimin e institucioneve. Shumica mund të bëhet, por atë nuk po mund ta bëjë partia që ka dalë e para në zgjedhje. Megjithatë, ka të tjera që mund ta bëjnë. Kemi filluar bisedimet me Vetëvendosjen. Kemi pasur dy takime formale dhe jemi dakorduar për mënyrën se si do ta vazhdojmë bisedën për të përafruar qëndrimet në një qeverisje të përbashkët”, ka thënë Hoti në Interaktiv të KTV-së.

Hoti ka thënë se në këto bisedime nuk është diskutuar fare për pozitën e kryeministrit. Ka shtuar se do të bisedohet vetëm për përafrim të programeve, dhe më pas do të flitet për pozitën e kryeministrit.

“Kemi pasur dy takime me ta. Jemi dakorduar që të ulemi që të bisedojmë. Jemi dakorduar për intensifikim të takimeve të ardhshme. Do të ulemi sapo të afrohet seanca e parë konstituive. Më pas do të shohim sa do të mund të përafrohemi në programet tona. Kemi programe të ndryshme, por do të shohim pikë për pikë ku mund të pajtohemi dhe ku nuk mund të pajtohemi, në mënyrë që të arrijmë pajtueshmëri. Është herët të flasim për atë. Duhet të përafrojmë programet. Kemi programe dhe duhet të ulemi bashkë. Pasi të arrijmë dakordim për program, do të shohim ekipin më të mirë të mundshëm për të përmbushur këtë program”, ka shtuar Hoti, raporton Koha.net.

Në Interaktiv të KTV-së, Hoti ka garantuar se nuk ka deputetë të LDK-së që do t’i japin votën një qeverisje të PAN-it dhe ka thënë se spekulimet se PAN-i i ka siguruar votat e mjaftueshme janë “konspiracione që iu ka dalë boja”.

“Konspiracioneve se i kanë bërë numrat iu ka dalë boja. Ka tri javë që janë certifikuar rezultatet, ndërsa seanca u thirr për 3 gusht, në afat të fundit. Është e pakuptimtë që të ketë vonesë kaq shumë për kalkulime të ulëta të partive politike që nuk mund ta bëjnë shumicën”.

Bartësi i listës së koalicionit LAA, Hoti, ka thënë po ashtu se nëse PAN-i nuk arrin të krijojë institucionet shtetërore, atëherë i takon cilësdo parti a koalicioni që ta bëjë këtë. E nëse Presidenti Thaçi nuk e mandaton këtë parti/koalicion që i siguron 61 vota, atëherë, sipas Hotit, “do ta dërgojmë në Kushtetuese”.

Sot është mbledhur Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, që sipas Hotit, ka rikonfirmuar qëndrimin për të mos hyrë në asnjë koalicion me PDK-në. Megjithatë, ai ka thënë se partia e tij është e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë tjera.

Sa i përket votimit të Kadri Veselit të PDK-së për kryetar të Kuvendit, në rast se partia e tij e nominon për këtë pozitë, Hoti ka thënë se “Veseli nuk do të votohet nga LDK-ja sepse e ka dëshmuar që është njeri që nuk i respekton marrëveshjet politike”./koha.net