Termocentrali i ri sjellë 10 milion euro fonde për projekte të komunitetit

Termocentrali i ri sjellë 10 milion euro fonde për projekte të komunitetit

Marrëveshja ndërmjet Contour Global dhe Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, përvec shumë benefiteve në sferën ekonomike, mjedisore dhe energjetike, parasheh edhe zhvillimin e fondit prej 10 milion eurosh për përkrahje, zhvillim dhe ndihmë ndaj komunitetit.

Një nga përfitimet e menjëhershme nga termocentrali ‘Kosova e Re’ është themelimi I Fondit për Zhvillimin e Komunitetit në vlerë prej 10 milion euro, të ndara nga investitori ContourGlobal, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Ky fond do të disbursohet pas fillimit të ndërtimit për një periudhë 7 vjeçare. Gjatë gjashtë viteve të para me nga 1.5 milionë euro në vit, dhe 1 milion euro në vitin e shtatë, njofton MZHE.

‘Fondi do të përkrahë lokalitetet që ndikohen nga projekti. Qëllimi është të ndihmojë komunitetit t’I përmirësojë mjediset e tyre sociale dhe ekonomike si dhe të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve për përfshierje në proceset vendimmarrëse me qëllim të përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës’, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Qëllimet që fondi synon t’i arrijë janë: të përfshijnë zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit përtej një gjenerate; zhvillim të planifikuar mirë me dobi afatgjata; si dhe të përkrah planet zhvillimore locale në fushën e edukimit, ambientit, ndërmarrësisë dhe shëndetit.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal do të zgjedhin bashkërisht projektet që do të financohen nga Fondi, thuhet në njoftimin e MZHE-së.

Fondi për Zhvillimin e Komunitetit, në kuadër të projektit të termocentralit Kosova e Re, do të jetë shtyllë për mbrojtjen e mjedisit dhe komunitetit përreth, dhe do të ofrojë mbështetje për një numër të theksuar të aktiviteteve të planifikuara për dhe nga komuniteti i ndikuar nga projekti.