Tërnava përdorë xhematin për të bërë presion për xhaminë, por nuk tregon sa para dhuruan në BIK

Tërnava përdorë xhematin për të bërë presion për xhaminë, por nuk tregon sa para dhuruan në BIK

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava përmend xhematin si argumentin kryesor për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, gati në secilën intervistë që ka dhënë e ka folur për këtë projekt.

Mes kërcënimeve se do të ndërtojë edhe pa leje nëse ajo si jepet, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe në intervistën e fundit ku ka folur për këtë projekt e ka përmendur popullin mysliman të Kosovës që sipas tij po bënë presion që kjo Xhami të ndërtohet sa më parë.

“Me dhjetëra herë kam kërkuar dhe kërkoj që pesë vjet të jepet leja për ndërtimin e xhamisë, toka është në emrin tonë, projekti është kryer është dorëzua në komunë qe sa vite. Unë kam një presion shumë të madh prej xhematin sepse kjo xhami është shumë domethënëse për komunitetin Mysliman”, kishte thënë Tërnava.

Madje nga xhemati Tërnava dhe BIK kishin kërkuar edhe donacione për të krijuar shumën që kërkon ndërtimi i Xhamisë, e cila do të ndërtohet me fonde nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Por BIK-u  dhe vet Tërnava nuk është se kanë treguar ndonjë veprim që do të tregonte se ata përnjëmend janë të lidhur me xhamatin. Mbi të gjitha se janë transparent.

BIK ende nuk i ka publikuar të dhënat nga shumat që janë dhuruar si donacion nga xhemati.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, e ka konfirmuar këtë për Gazetën Insajderi, duke shtuar se shumë shpejtë do të publikohen të gjitha.

“Ne patëm kërkuar ndihma prej qytetarëve, janë mbledhë disa mjete që do të bëhen transparente. Ato janë mbledhë rreth disa përgatitjeve që ne i kemi bërë si Bashkësi Islame, dhe për t’i mbuluar ato shpenzime”, ka thënë Sadriu për Insajderin.

Ndërtimi i xhamisë në Dardani të Prishtinës është bërë tema më e përfolur kohëve të fundit, sidomos për arkitekturën e saj.

Ende nuk dihet saktë se sa do të kushtojë ndërtimi i saj. Ndryshimi i projektit që pritet të ndodh, mund ta ndryshojë edhe koston e saj.

Dilema që po diskutohet është tek katet e parkingut nëntokësor që do t’i ketë xhamia. Projekti parashihte katër sosh. Ndërsa tash asaj mund t’i hiqen dy prej tyre. Kjo për shkakun e problemeve me kanalizimin.

Lidhur me detajet e projektit, asambleja komunale e Prishtinës ka mbajtur debat, në të cilin janë dhënë vërejtjet dhe sugjerimet.

Shuma e cila mund të lëvizë është prej 35-40 milionë euro. Financimin dhe ndërtimin e saj e ka marrë mbi supe Bashkësia Islame e Turqisë.

Roli i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në këtë rast do të jetë roli mbikëqyrës i saj./Insajderi.com