Tetovë, uji i pijshëm përplas pushtetin me opozitën

Tetovë, uji i pijshëm përplas pushtetin me opozitën

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, është kyçur në përplasjet rreth ndërtimit të ujësjellësit për fshatin Siniçan, të rrethinës së Tetovës.

Fshati Siniçan është pjesë e komunës së Bogovinës, komunë me të cilën udhëheq kuadër i Aleancës për Shqiptarët. Por, pas fillimit të punëve për ndërtimin e ujësjellësit, ka intervenuar policia e cila ka ndërprerë punimet për shkak se në atë vend duhet të ndërtohet hidrocentral, raporton Gazeta Online Insajderi.

“Nuk do të lejojmë t’i hakmerret kryetarit të Bogovinës dhe qytetarëve të Siniçanit, për atë se dikush ka dashur të bëjë biznes me hidrocentralin në të njëjtin vend ku qytetarët dëshirojnë të marrin ujë të pijshëm”, ka thënë mes tjerash kreu u ASH-së Ziadin Sela.

“Është skandaloze prokurori t’i japë urdhër policisë që të lejojë qytetarët e Bogovinës të punojnë dhe të sigurojnë ujë të pijshëm ndërsa ata edhe sot e kësaj dite me urdhrin e Agim Nuhiut, ministër i Punëve të Brendshme, akoma rrinë atje, edhe pse banorët e Siniçanit gjatë gjithë natës kanë qëndruar atje për ta mbrojtur të drejtën e tyre të ndarë edhe nga gjyqësia”.

“Ky duhet të jetë alarm për të gjithë qytetarët për të gjitha institucionet të cilat akoma besojnë në demokraci për të parandaluar tendenca të tilla dhe dukuri të shtetit policor”.

“I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar të bëj gjithçka për respektimin e ligjeve në këtë shtet. Normal se nga kryetari i komunës nuk u është dhënë leje për ujë të pijshëm”,tha  Sela.

Ndërkaq, kryeministri teknik I RVM-së Oliver Spasovski, tha se bën thirrje që përmes dialogut në vendbanimet në Komunën e Bogovinës të gjendet zgjidhje e mirë e përbashkët për të gjithë dhe banorët e Siniçanit të kenë sa më shpejtë ujët të pijshëm.

Për mua, thekson në Facebook kryeministri, e vetmja gjë e rëndësishme është të veprohet sipas ligjit dhe Kushtetutës, të mos lejohet të kemi anarki dhe veprim jashtë rregullave ligjore.

“Qytetarët tanë, nga Komuna e Bogovinës, unë i respektoj, i mbështes dhe është shumë me rëndësi të kemi zgjidhje të problemit të tyre, i cili do të vijë përmes kornizave ligjore. Bëj thirrje që përmes dialogut në vendbanimet në Komunën e Bogovinës të gjendet zgjidhje e mirë për të gjithë dhe banorët e Siniçanit të kenë sa më shpejtë ujë të pijshëm”, shkroi kryeministri Spasovski në profilin e tij në Facebook.

Njëkohësisht në kumtesë demanton se me prokuroren Lejla Kadriu ka pasur bisedë lidhur me qytetarët e Siniçanit.

Ai thotë se prokurorja, e cila vepron rreth rastit, e ka lajmëruar, por se në atë bisedë fare nuk është bërë fjalë për qytetarët, por, siç thotë, vetëm ka cekur se nuk ka nevojë ta kërkojë, sepse ka prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se me të duhet të bisedohet.

Policia, pas njohurive të marra rreth aktiviteteve për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në fshatin e Tetovës Siniçan dje ka dalë në vendin e ngjarjes në terren, me ç’rast janë marrë informata dhe të dhëna dhe në Prokurorinë themelore publike Tetovë është parashtruar njoftimi për dyshim për vepër të kryer penale “ndërtim pa leje”.

Zëdhënësi në Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski, sot deklaroi se prania e nëpunësve policorë në vendin ku kanë filluar aktivitetet e punës për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit është në funksion të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike.

Sa i përket koordinimit dhe bashkëpunimit me Prokurorinë publike, ai theksoi se MPB bashkëpunon me prokurorinë në të gjitha rastet, si dhe në këtë rast rreth hetimit që po e zhvillon prokuroria.

Ngjarjet në rajonin e Tetovës rreth fillimit të ndërtimit të ujësjellësit do t’i hetojë edhe Prokuroria publike e RMV-së.

Nga atje pasdite informojnë se do ta hetojë lëndën, si dhe veprimin e prokurores së Tetovës, Lejla Kadriu.

“Për shkak të informatave të ndryshme në mediume dhe në rrjete sociale për pjesëmarrjen e prokurores publike nga Prokuroria themelore publike Tetovë, Lejla Kadriu, në vendin në të cilin janë kryer punime për ujësjellësin në rajonin e Tetovës dhe më shumë paqartësi në veprimin e saj, Prokurori publik i RMV-së sot me shkrim kërkoi nga Prokuroria e lartë publike Gostivar të kryejë ekspertizë të lëndës, në bazë të nenit 27 paragrafi 5 dhe nenit 28 paragrafi 1 nga Ligji për prokurorinë publike”, thuhet në kumtesë.

Pas ekspertizës së bërë, Prokuroria e lartë publike Gostivar duhet menjëherë të parashtrojë informata, ndërsa pas pranimit të analizës së informatës së marrë, Prokurori publik i RMV-së do të sjellë vendim adekuat, theksuan prokuroria./Insajderi.com