“Teuta Rugova duhet të tregojë nëse do ta votojë Kadri Veselin”

“Teuta Rugova duhet të tregojë nëse do ta votojë Kadri Veselin”

“A i ka PAN numrat për kryetar të Kuvendit para se t’i kërkojë numrat për kryeministër?”, është pyetja që e parashtron deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Selimi dyshon se koalicioni PDK-AKK-Nisma i ka numrat e mjaftueshëm për ta zgjedhur kryetar të Kuvendit, të nominuarin e saj Kadri Veselin. Deputeti i VV-së ka thënë se koalicioni PAN duhet të tregojë fillimisht nëse i ka numrat për ta zgjedhur Veselin në krye të Kuvendit të Kosovës.

“Pyetja se a i ka PAN-i numrat për kryeministër apo jo, po qarkullon tash e sa javë. Por, një pyetje tjetër duhet të ketë përgjigje paraprakisht: A i ka PAN-i numrat për Kryetar të Kuvendit? I gjithe opinioni është fokusuar në atë, që në fakt nuk është në radhë, në pyetjen se a i ka votat PAN-i për kandidatin e tyre për Kryeminister”, ka thënë Selimi.

Selimi vazhdon më tej duke thënë se PAN-i po harron që së pari duhet të votohet kryeparlamentari, e më pastaj i nominuari për kryeministër.

“Në ndërkohë po harrohet fakti që para së të vijë puna deri aty, PAN-i e ka në agjendë votimin për kandidatin e vet për Kryetar të Kuvendit, sepse aty ‘ka rend’… njëherë kryeparlamentari e pastaj ndoshta edhe kryeministri. Kështu thotë “vëllai i madh” i PAN-it, PDK-ja”, ka thënë ai.

Një çështje me rëndësi për zyrtarin e lartë të Vetëvendosjes mbetet dilema nëse deputetja e LAA-së që premtoj se do ta votojë Ramush Haradinajn për kryeministër, edhe të nominuarin e PAN-it për kryeparlamentar.

Teksa nuk e bëri të ditur emrin e deputetës së koalicionit LDK-AKR-Alternativa, Selimi aludoi në deputetën e zgjedhur Teuta Rugova. Rugova deklaroi javën e kaluar se do ta mbështes nominimin e Haradinajt për kryeministër.

“Po ashtu, deputetja që ia premtoi PAN-it votën për kryeminister duhet të përgjigjet paraprakisht se a do ta votojë Veselin në krye të Kuvendit para së ta votojë Haradinajn për kryeminister? Kjo është me rëndesi të dihet”, ka thënë Rexhep Selimi. 

E në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Selimi deklaroi se Vetëvendosje nuk do ta votojë të nominuarin e PAN-it (ende jo zyrtarisht) për kryeparlamentar, Kadri Veselin. Në këtë deklaratë ai shpjegoi edhe arsyet përse Vetëvendosje mban këtë qëndrim.

Prononcimi i Rexhep Selimit për Insajderin, lidhur me votimin e kryerparlamentarit:  

VV: Nuk e votojmë Veselin, kërkojmë që PAN të gjejë një tjetër figurë