Thaçi: “Albin Kurti ende këndon para Serbisë” – reagon Vetëvendosje

Thaçi: “Albin Kurti ende këndon para Serbisë” – reagon Vetëvendosje

Deklaratave të mbrëmshme të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk lënë pa i reaguar zyrtarët e kësaj partie, njofton Insajderi.

Anëtari i LVV-së, Ilir Dugolli, tha se sa herë që presidenti Thaçi “mundohet të vë njolla në personalitetin dhe aktivitetin atdhetar dhe shtetëror të Albin Kurtit, mbështetja për Kurtin rritet”.

“Askush më nuk i beson Gjarprit! Si zakonisht ai vazhdon të shpif për Albinin edhe për përiudhen e burgut, por askush s’i beson. E vërteta për qëndresën e Albinit në burg, është një horizont i pakapshëm për Hashimin”.

“Hasha ligështohet edhe sot kur përballët me Vuçiçin, e lere më të ishte në vend të Albinit. Ndërsa Albini nuk u mposht e nuk u tremb në burg, e lëre më në liri. Albini ka shumë shokë sepse kurr nuk e braktisi idealin për liri e shtet të së drejtës. Ndërsa Hashimi nuk ka më shokë, sepse e braktisi idealin dhe i humbi edhe ata shokë që i kishte”, ka shkruar Dugolli.

Këtë reagim të Dugollit e ka mbështetur edhe ish-ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla,  njëherësh edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, i cili e ka shpërndarë deklaratën në profilin e tij gjatë mëngjesit të sotëm.

Deklarata e presidentit Thaçit vjen pas deklarimit të Albin Kurtit se presidenti i vendit “ka kënduar si bylbyl para prokurorëve të Hagës për katër ditë me radhë”.

Pas kësaj deklarate, Thaçi ka pasur disa kritika për veprimtarinë e Kurtit gjatë kohës së luftës.

Ai tha se Kurti “ka kënduar te Serbia si bylbyl, e njejtë thotë se vepron edhe sot”.

“E di se mund të jetë i shqetësuar se e vërteta del në shesh por do të ndihet i turpëruar dhe para fëmijëve të vetë. Ai e di. Albin Kurti ka kënduar te Serbia si bylbyl, këndon edhe sot. Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, deklaroi mbrëmë Thaçi në një intervistë televizive. /Insajderi.com