Thaçi: Asociacioni do të jetë i mundur sipas rekomandimeve të Kushtetueses – në asnjë mënyrë me kompetenca ekzekutive

Thaçi: Asociacioni do të jetë i mundur sipas rekomandimeve të Kushtetueses – në asnjë mënyrë me kompetenca ekzekutive

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Asociacioni nuk është çështje teknike, duke shtuar se në asnjë rrethanë nuk duhet pranuar pikat e Serbisë në dialog, njofton Insajderi.

I ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Presidenti Thaçi tha se sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kosova nuk ka asnjë obligim jashtë kornizës së asaj se çfarë është nënshkruar.

“Nuk është aspak çështje teknike Asociacioni. Kemi edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, Asociacioni i Komunave Serbe do të jetë i mundur vetëm sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe në asnjë mënyrë me kompetenca ekzekutive. Pra, Kosova nuk ka asnjë obligim jashta asaj kornize. Gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ne duhet t’i kryejmë obligimet tona, ndërsa përtej saj ne duhet të kemi shumë kujdes”, ka thënë Thaçi.

Ai tutje ka kërkuar unitet politik midis qeverisë dhe opozitës në mënyrë që të jetë më e lehtë përballja me Serbinë, duke kërkuar kështu bashkërisht njohjen reciproke.

“Agjendës që e propozon Serbia ne duhet t’i themi jo, dhe në këtë drejtim kërkohet një unitet politik, në veçanti të politikanëve në pozitë dhe opozitë. Pra, duhet të jemi unik dhe të mos i frikësohemi Serbisë sa i përket përballjes për njohjen reciproke”.

“Kosova është shembull edhe në rajon në proceset e ndieshme që ka kaluar, sikur në Rambuje dhe në Vjenë, po ashtu edhe në marrëveshjen e vitit 2013, tash jemi në rrethanë të re, me një qeveri me numra jo të shumtë në Kuvend, prandaj duhet një koordinim midis qeverisë dhe opozitës”.

“Në asnjë rrethanë nuk duhet të pranojmë pikat e Serbisë në dialog, pra nuk duhet të zbresim në çështje teknike, meqë një pikë është që e rëndon Kosovën dhe Serbinë- njohja reciproke”, tha Thaçi. /Insajderi.com