Thaçi bisedon në telefon me Juncker për vizat dhe dialogun me Serbinë

Thaçi bisedon në telefon me Juncker për vizat dhe dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka biseduar në telefon me presidentin e Komisionit Evropian, Jena Claude-Juncker, ku temë kryesore ka qenë liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë presidenti i vendit nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook.

“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin bisedova për procesin e liberalizimit të vizave, perspektivën evropiane të Kosovës dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne u pajtuam se lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës duhet të vijë shpejtë, duke i hapur kështu mundësi lëvizjes së lirë të qytetarëve, ideve dhe shkëmbimeve në të gjitha fushat”, ka shkruar Thaçi në faceboo.

Sipas Thaçit, Juncker gjithashtu e mbështetë edhe arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë si kusht për anëtarësim në BE.

“Po ashtu, Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, e falënderova edhe për mbështetjen që i ka dhënë procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Juncker e mbështetë fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve, si kusht thelbësor për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe hapjen e perspektivës euroatlantike”, përfundon postimi në facebook i Thaçit. /Insajderi.com