
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka bërë me dije se në fazën përfundimtare të dialogut, zbardhja e fatit të të pagjeturve do të jetë ndër çështjet prioritare.
Thaçi sot gjatë homazheve tek “Përmendorja dedikuar personave të pagjetur”, tha se kjo temë është ndër plagët më të rënda të shoqërisë sonë, shkruan Insajderi.
“Familjet e të pagjeturve meritojnë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, prandaj si institucione do të bëjmë të pamundurën që ta zbardhim fatin e tyre”, ka shkruar ai.
Shkrimi i plotë i Thaçit:
Së bashku me familjarët e personave të pagjetur, në ditën e fundit të këtij viti, bëmë nderime te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë. Kjo është ndër plagët më të rënda të shoqërisë sonë, të cilën e bartim me vete në momentet e gëzimit dhe hidhërimit.
Në kuadër të fazës përfundimtare të dialogut në Bruksel, zbardhja e fatit të të pagjeturve do të jetë ndër çështjet prioritare. Familjet e të pagjeturve meritojnë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, prandaj si institucione do të bëjmë të pamundurën që ta zbardhim fatin e tyre.