fbpx

Thaçi dhe gatishmëria e tij për të reaguar në mbrojtje të Izraelit

Hashim Thaçi është treguar çdo herë i gatshëm për të reaguar me shpejtësi ndaj anti-semitizmit të shfaqur në Kosovë. Sikurse në nëntor të vitit 2016, kur premtoi se do të ndërrmerte hapa për parandalimin e shitjes së librave anti-semite në Kosovë, Hashim Thaçi reagoi sërish sot në mbrojtje të shtetit të Izraelit, ndaj komenteve të bëra nga Visar Korenica.

Thaçi dhe gatishmëria e tij për të reaguar në mbrojtje të Izraelit

Kur presidenti i vendit kishte vendosur që me 17 nëntor të vitit të kaluar t’i kthente letrën izraelitit Shimon Samuels, drejtorit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Qendrën “Simon Wiesenthal”, ishte treguar mjaft i përgjegjshëm.

Ndaj kërkesës që Kosova të ndalonte shitjen e librave anti-semite, presidenti Thaçi kishte thënë se “pavarësisht se sa i izoluar ky incident mund të jetë” ai kishte marrë të gjitha masat që të lajmërojë autoritetet.

“Unë ju siguroj se kam bërë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse të hetojnë këtë rast dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e urrejtjes e cila është në kundërshtim me dokumentet dhe parimet e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar Thaçi në letrën e tij.

E rreth 10 muaj më vonë, kur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Rahovecit, Visar Korenica deklaroi se “kombi izraelit duhet të zhduket nga faqja e dheut”, ngjalli sërish reagimin e presidentit Thaçi në mbrojtje të Izraelit.

“Qyqarë – Kombi juaj herët a vonë do të zhduket nga bota, ashtu siç ka ndodhur me të tjerët si ju”, kishte shkruar Korenica, derisa kishte shpërndarë një link nga gazeta “Haaretz”, në të cilën është dhënë lajmi se policia izraelite ka hedhur granata të gazit drejtë masës myslimane në afërsi të një xhamie në Jerusalem.

Për këtë shkrim të kandidatit për kryetar të Rahovecit, Thaçi reagoi ashpër. Tha se deklarata të tilla “janë ofenduese dhe të papranueshme”, raporton Insajderi.

“Kam përcjell me shqetësim deklaratat antisemitizmi për zhdukjen e shtetit të Izraelit. Deklarata të tilla janë thellësisht ofenduese dhe të papranueshme”, deklaroi Thaçi, përmes një shkrimi të postuar në profilin e tij në Facebook.

Edhe pse shteti i Izraelit nuk e ka njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi shtoi se shteti i Izraelit dhe populli hebraik ka mbështetur Kosovën në të gjitha periudhat. “Ftoj të gjitha institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndaj popujve dhe shteteve të tjera”, deklaroi presidenti.

Presidenti dënon gjuhën nxitëse të kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Rahovecit

Përveç se presidenti Thaçi ka reaguar gjithmonë me përgjegjshmëri dhe shpejtësi kundër komenteve anti-semite, ai ka shprehur dëshirë që të bëhet udhëheqësi i parë i shtetit që realizon vizitë zyrtare në Izrael.

Në një intervistë për gazetën izraelite Yedioth Ahronoth, në vitin 2016, Thaçi kishte thënë se ai dëshiron të jetë presidenti i parë i Republikës së Kosovës që do të vizitojë Izraelin. Kjo gazetë e përshkruante presidentin Thaçi, si njeriun që ka dërguar Kosovën drejt pavarësisë së saj.

“Pres ta vizitoj Izraelin. Kosova ka lidhje të gjata historike me shtetin e Izraelit, por edhe me komunitetet hebraike në mbarë botën”, kishte thënë Thaçi në këtë intervistë për të përditshmen izraelite Yedioth Ahronoth.

Hashim Thaçi shërben si president i Kosovës nga muaji shkurt i vitit të kaluar. Më parë, ai kishte shërbyer për gjashtë vite – nga viti 2008, deri më 2014. /Insajderi.com