Thaçi ‘djeg’ partinë e Fatmir Limajt nuk e fton në KQZ

Thaçi ‘djeg’ partinë e Fatmir Limajt nuk e fton në KQZ

Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate nuk ka marrë ftesën nga zyra e Presidencës për emërimin e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi ka konfirmuar se presidenca nuk i ka dërguar ftesën kandidatit të tyre të propozuar për anëtar të KQZ-së. Ani, pse siç thotë ai në 13-14 dhjetor të 2018-s kishte pranuar shkresë nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në kuadër të Zyrës së Presidentit, që të dërgohet një emër nga Nisma, shkruan Insajderi.

“Më lejoni të ju informojë që diku me 13 -14 dhjetor të vitit 2018-të, unë në cilësinë e shefit të grupit parlamentar të Nisma Socialdemokrate kam marrë një shkresë nga Besim Kajtazi si shef i zyrës ligjore të presidentit, pra ku nga unë kërkohet që të emëroi një anëtarë në emër të Nismas për KQZ”, ka thënë Sherifi, shkruan Insajderi.

Sherifi thekson se Nisma ka vepruar konfrom shkresave zyrtare dhe kërkon që njëjtë të veprohet edhe në rast se propozimi i tyre është anuluar.

“Ne kemi vepruar konform shkresave zyrtare ndaj kërkesë për të emëruar një kandidat, kemi pritur që presidenti të ftojë një kandidat nga Nisma, dhe nuk kemi marrë shkresë që ka anuluar propozimi ynë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pret nga presidenti që kur t’a bëjë emërimin e anëtarëve të KQZ-së, të emëroj edhe anëtarin e Nisma Socialdemokrate ose t’i na njoftojë se ka heq dorë nga proceduara për të emëruar nga një anëtarë të çdo grupi parlamentar.

Sherifi i Nisma-s ka kritikuar presidentin duke thënë se ai ka bërë kërkesë për të emëruar dy kandidatë nga PAN, e që sipas tij më PAN nuk ekziston në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë se presidenti gabohet nëse mendon që PAN përbëhej vetëm nga PDK.

“Unë nuk e di kujt ia ka drejtuar presidenti kërkesën për të emëruar dy nga PAN-i, kush është PAN-i tani shtrohet pyetja në Kuvend nuk ekziston PAN më, kemi PDK, AAK dhe Nisma dhe kërkesën që e ka bërë e ka bërë në emër të partive politike, tash ai duhet ta na sqarojë kush i jep mandate atij që kërkesën që e ka bërë në emër të PDK”, tha ai, përcjell Insajderi.

Ai ka kërkuar të dijë nga presidentin, se kush sipas tij e përfaqëson PAN-in. Sherifi ka kërkuar sqarim nga presidenca pse nuk është ftuar për dekretim kandidati i tyre.

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ka njoftuar se pas përmbylljes së të gjitha procedurave dhe kompletimit të lëndëve me informacionet e kërkuara shtesë, këtë javë do të emërohen anëtarët e rinj të KQZ-së.

Ambasada e SHBA në Prishtinë, dje përmes një deklarate, ka shprehur shqetësimin për vonesën e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, duke e pamundësuar kështu funksionalizimin e këtij institucioni.

“Jemi të shqetësuar me vonesën prej më shumë se një vit të emërimit të dhjetë përfaqësuesve në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ). Dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit ia ka pamundësuar KQZ-së kryerjen e funksioneve të saj themelore; më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Kuvendit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës. Ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike. E nxisim presidentin Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në KQZ për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës, përfundon Deklarata e Ambasadës së SHBA./Insajderi.com