Thaçi: Duhet të realizohet objektiva për bashkim kombëtar

Thaçi: Duhet të realizohet objektiva për bashkim kombëtar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish ka bërë thirrje për bashkim kombëtar.

Duke përmendur mos unitetin e vendeve të BE-së për vendimmarrje më të shpejtë për Kosovën dhe izolimit që po i ndodh kësaj të fundit, i pari i shtetit tha se tanimë është shtruar nevoja që të realizohet objektiva dhe vullneti i shqiptarëve për bashkim.

Sipas presidentit Thaçi, përkundër progresit dhe avancimit të Kosovës po ka pengesa dhe vështirësi.

“Shteti ynë është në rrugë të sigurt është në rrugë të drejtë, por në të njëjtën kohë ky progres dhe avancim i brendshëm dhe afirmim ndërkombëtar ka dhe pengesa dhe vështirësi. Njëra nga pengesat është izolimi që po i ndodh padrejtësisht shtetit të Kosovës, qytetarëve nga mos uniteti i vendeve të Bashkimit Evropian. Prandaj në këto rrethana të këtij mos uniteti dhe vendimmarrje për të ardhme më të shpejt të Kosovës në NATO dhe BE shtrohet nevoja tani të realizohet objektiva dhe vullneti i shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë të jetojmë në një shtet të përbashkët, të ndodhë bashkimi kombëtar”, tha Thaçi.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për zbardhjen e gjitha krimeve serbe që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kosova po hyn në dekadën e dytë të lirisë, por ende me plagët nuk janë shëruar. Shteti i Serbisë ushtroi gjenocid, spastrim etnik, vrasje dhe masakra anë e mban Kosovës. Ende askush nga urdhëruesit e ekzekutorët e krimeve mbi popullatën civile të Kosovës nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. Pra krimi dhe gjenocidi i Serbisë nuk është ndëshkuar. Por ky krim dhe gjenocid nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Këto komente, presidenti Thaçi i bëri gjatë përurimit të shtatoreve të dy heronjve Rasim Kiçina dhe Bedri Shala në Drenas.