Në pritje

Thaçi e kreu – kur do të udhëtojë Veseli për t’u intervistuar në Hagë?

Aktakuzë për krime lufte i është ngritur Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Por, të paktën deri tani, veç Thaçi ka shkuar për intervistim. Veseli e kishte dhënë një dëshmi moti, më nuk u ftua. Insajderi.com ka pyetur Dhomat e Specializuara, Prokurorin Special dhe PDK-në për një ftesë potenciale të sërishme. Nuk dihet a do të ftohet. Por, edhe nëse ndodhë nuk dihet a do shkojë. Kryetari i PDK-së është infektuar me COVID-19, tani është i izoluar dhe po pret, nëse jo thirrjen, shërimin.

Thaçi e kreu – kur do të udhëtojë Veseli për t’u intervistuar në Hagë?

Nuk dihet ende nëse Gjykata Speciale e ka ftuar Kadri Veselin të japë dëshminë e tij para Prokurorit, ashtu siç bëri Hashim Thaçi ditë më parë. Por, edhe nëse ftohet, prapë nuk është e qartë nëse do të shkojë, apo jo. Kjo për arsye se atij i ka rënë virusi. Veseli njoftoi të enjten e kaluar se është infektuar me COVID-19.

Gazeta Online Insajderi ka pyetur Dhomat e Specializuar e gjithashtu edhe Zyrën e Prokurorit Special nëse pritet që këto ditë kryetari i PDK-së të ftohet në Hagë. Asnjëri institucion nuk ka dhënë përgjigje.

Nga Dhomat thonë se s’është brenda përshkrimit të tyre të punës, e nga Prokurori refuzojnë të japin informacione.

Ide se kur do ta bëjë udhëtimin e detyrueshëm Veseli për në Holandë, nuk kanë as nga partia e tij.

Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Tashmë ekziston edhe propozim-aktakuzë ndaj tij.

Në tentimin e Insajderi-it për të marrë një përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nëse ka një datë të saktë se kur do të ftohet sërish kreu i PDK-së për intervistim, nga kjo zyrë kanë thënë se nuk mund të japin informacione në lidhje me hetimet e tyre.

“ZPS nuk jep informacione për hetimet e tyre, kështu që unë nuk mund t’u ofroj përgjigje në pyetjet e parashtruara nga ju”, ka thënë zëdhënësi Christofer Bennett.

Ndërsa, Avni Bytyçi nga Partia Demokratike, pohon për Insajderi-n se deri më tani, i pari i partisë së tij nuk ka pranuar ndonjë ftesë të re nga Tribunali i Hagës.

Nëse veç ndodh të ftohet, Bytyçi zotohet se shefi i tij “do të jetë shumë transparent”.

“Veseli e ka përfunduar intervistën në dhjetor të vitit të kaluar. Për çdo gjë lidhur me këtë temë, z.Veseli do të jetë shumë transparent. Deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ftesë të re”, ka thënë Bytyçi në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Veseli, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte ftuar në Hagë në dhjetor të vitit të kaluar.

Pas kthimit nga Holanda, Veseli kishte folur pak për atë se çfarë kishte ndodhur atje – më shumë ishte fokusuar në ndodhitë e dikurshme.

Ai nuk kishte treguar shumë detaje në lidhje me qëndrimin e tij përballë hetuesve të Gjykatës Speciale.

“E kam përfunduar intervistën. Vitet 90’ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, dmth për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, pati thënë Veseli në një video-mesazh pas kthimit nga Haga më 10 dhjetor 2019.

Më 24 qershor, Prokuroria Speciale publikoi një aktakuzë (ende të pakonfirmuar nga gjykata) ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa të tjerëve, të cilët akuzohen për krime, të cilat përfshijnë: vrasje, zhdukje, përndjekje dhe tortura.

Prezantimi i aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, ndodhi në kohën kur ky i fundit ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, për ta rifilluar dialogun Kosovë-Serbi, ku do të takohej me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas Thaçit, “komunikata e prokurorit”, e pamundësoi takimin në Shtëpinë e Bardhë,  që organizohej nga i ngarkuari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015, ku Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese.

Insajderi është munduar të marrë një informacion për udhëtimin potencial të Kadri Veselit edhe nga Dhomat e Specializuara.

I shkurtër në përgjigje, zëdhënësi Michael Doyle, tha se s’u takon atyre pjesa e hetimeve. Me hetimet merret ekskluzivisht Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Dhomat e specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë institucione të pavarura dhe të ndara. Çdo gjë që lidhet me hetimet ose ndërhyrjet bie nën përgjegjësinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS)”, ka thënë për Insajderin Doyle. /Insajderi.com/