Thaçi: FSK e gatshme për mision të ri

Thaçi: FSK e gatshme për mision të ri

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha të mërkurën se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale dhe e gatshme për misionin e ri.

Thaçi këto komente i bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandës, ndërmjet komandantit në largim të KFOR-it, gjeneral majorit Giovanni Fungo dhe komandantit të ardhshëm të KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci.

Thaçi me këtë rast falënderoi KFOR-in për shërbimin në Kosovë dhe tha se gëzon besimin më të madh të qytetarëve të vendit.

Presidenti tha se komandanti në largim i KFOR-it Giovani Fungo është mik i dëshmuar i Kosovës dhe rajonit.

“Sot me ndjenjë të mirënjohjes i them faleminderit dhe mirupafshim. Koha kur ka shërbyer Fungo ka qenë kohë e rëndësishme në vend. I jemi mirënjohës të gjithë ushtarëve që shërbejnë në KFOR.”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se angazhimi i KFOR-it ka bërë që të evitohen incidente në Kosovë dhe se duke forcuar paqen në Kosovë, forcon edhe paqen në rajon, raporton Telegrafi.

“FSK tani është e gatshme për kompetenca të reja dhe mision të ri”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi foli edhe për bashkëpunimin me vendet fqinje, duke thënë se nevojitet një marrëveshje e re me Serbinë për të shtruar një rrugë të re, të pajtimit ndërmjet dy shteteve.

Ndryshe, sot në selinë KFOR-it u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës, ndërmjet komandantit në largim të KFOR-it, gjeneral majorit Giovanni Fungo dhe komandantit të ardhshëm të KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci.