Kosova e Serbia bisedonin në dialog për të arritur marrëveshje. Marrëveshja nuk arrihej, prandaj u ndal edhe dialogu. Tani, na duhet marrëveshje për t’u kthyer në dialog. Një takim në këtë drejtim, pritet të mbahet me 27 qershor në Uashington.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur ftesën e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, për një takim tre-palësh në Uashington mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë nën mikpritjen e SHBA-ve, njofton Insajder.
Grenell e lajmëroi takimin në Twitter, po në Twitter edhe Thaçi e ka falënderuar.
“Lidershipi dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithmonë kanë qenë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, e mirëpres ftesën e rikthimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën lidershipin e presidentit Donald Trump dhe emisiarit Richard Grenell”, ka shkruar Thaçi./Insajderi.com