fbpx

Thaçi ndihet i lumtur dhe krenar me vendimin e Haradinajt për krijimin e ushtrisë

Thaçi ndihet i lumtur dhe krenar me vendimin e Haradinajt për krijimin e ushtrisë

Hashim Thaçi tha se është krenar për formimin e Ushtrisë së Kosovës, vendim ky i marrë nga Kryeministri Ramush Haradinaj para pak muajsh. Vet ai kishte provuar në vitin 2016 përmes një draft-ligj për transformimin e FSK-së në ushtri, por kishte dështuar pasi që mori goditje nga NATO dhe ambasada e Amerikës.

Tash ushtria po behët përmes ndryshimit të tri projektligjeve, me mbështetjen e plotë të Amerikës.

Presidenti Thaçi, në cilësinë e komandantit suprem të FSK-së vizitoi kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një ditë para se kuvendi të votojë tri projektligjet për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij para 400 ushtarëve të FSK-së tha se ndihet krenar  me vendimin për ndryshimin dhe avancimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke i dhënë FSK-së kompetencat e ushtrisë së mirëfilltë.

“Sot çdo qytetar i vendit duhet të ndjehet krenar. Sot jam në mesin tuaj, për t’ju falënderuar juve në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Jam sot këtu edhe për t’i uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për ushtrinë tonë”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se ushtarët këto ditë po i përjetojnë më ndryshe dhe me emocione të fuqishme. Kjo, sipas tij, është e kuptueshme, sepse kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri tek momenti dhe vendimi i shumëpritur.

“Ky proces po rrjedh natyrshëm si rezultat punës dhe përkushtimit tuaj të jashtëzakonshëm. Ju, me mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për kohë të gjatë keni punuar për themelimin e ushtrisë sonë. Ushtria e jonë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i shërbyer kultivimit dhe forcimit të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë Thaçi.