Thaçi ndryshon strategjinë për ndarjen e dekoratave, sigurohet mirë që të mos i refuzohen

Thaçi ndryshon strategjinë për ndarjen e dekoratave, sigurohet mirë që të mos i refuzohen

Para një viti, qindra personalitete ishin përzgjedhur nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për t’u dekoruar me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Por ishte Thaçi arsyeja se pse disa nga të përzgjedhurit refuzuan dekoratat.

Presidenti kishte bërë një listë të gjatë publike të personaliteteve të cilët do të dekoroheshin nga ai. Por dhjetëra personalitete, në mesin e tyre ish-bashkëluftëtarë e ish-bashkëpunëtorë të Thaçit kishin refuzuar të dekoroheshin prej tij, si Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja, Veton Surroi, Rexhep Selimi, Hydajet Hyseni e Agim Zatriqi.

Pas këtyre refuzimeve, Thaçi ishte penduar për publikimin e listës. Pak ditë pas shënimit të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ai kishte tentuar t’i zhvlerësojë arsyet publike të personaliteteve për refuzimin e dekoratave.

Thaçi pretendonte se ende nuk i kishte dekoruar, por, siç thoshte ai, ata vetëm ishin në listën e tij të gjatë të propozimeve.

“Në tavolinën e punës kam hiç më pak se 500 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, të propozuar, por edhe të vetëpropozuar për marrjen e Medaljes Presidenciale të 10 Vjetorit të Pavarësisë. Disa deklarata të individëve janë të pasakta. Askush nuk mund ta refuzojë dekoratën pa qenë i dekoruar”, kishte shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Por pretendimet e Thaçit i përgënjeshtronte një e-mail zyrtar nga Presidenca i dërguar nëpër media, i cili ishte titulluar “Bashkangjitur gjeni Listën e të dekoruarve nga Presidenti i Republikës së Kosovës”. Në listë poa ashtu figuronin 250 emra të personaliteteve dhe organizatave kombëtare e ndërkombëtare, dhe jo 500 siç kishte thënë Thaçi.

Tash, një vit pasi nderi i Thaçit u refuzua publikisht, presidenti nuk bën më të njëjtat gabime.

Ka disa muaj që presidenti nuk ngutet të njoftojë publikisht për dekorimin e personaliteteve, pa u siguruar se nuk do t’ia refuzojnë dekoratën.

Rasti i fundit është dekorimi me medalje presidenciale, i gruas së djalit të ish-presidentit Rugova, Blerina Kllokoqi-Rugovës.

Lajmin për dekorimin e kreatores Kllokoqi-Rugova, e bëri vetë Thaçi në Facebook, për ta fshirë pak minuta më pas.

“Me Medaljen Presidenciale të Meritave, sot e dekorova Blerina Kllokoqi-Rugovën për kontributin e dhënë në fushën e artit. Gërshetimi i së bukurës me kërkesat kulturore dhe sociale në veshjet që dizajnon kreatorja e modës Blerina Kllokoqi-Rugova reflektojnë më së miri në sukseset që ajo ka arritur brenda dhe jashtë vendit. Kreatorja Blerina Kllokoqi-Rugova është ndër shembujt më të mirë për hapësirën që ofron Kosova për zhvillimin e talentit në këtë fushë”, shkruhej në postimin e presidentit, i cili u fshi.

Megjithatë, nderi i Thaçit nuk është refuzuar. Kllokoqi-Rugova e falenderoi atë për dekoratën.

“Falënderoj Presidentin e Republikës së Kosovës për këtë dekoratë! Ndihem e nderuar dhe me shumë përgjegjësi që të punoj edhe më shumë, që vendim tim ta përfaqësoj në mënyrën më të denjë me kreacionet e mija në vende të ndryshme të botës në fushën e artit, respektivisht modës.
Këtë medalje e ndaj me secilën vajzë, nanë e grua që nuk dorëzohet asnjëherë para gjitha sfidave që i servon jeta.
Unë, bija jote Kosovë!”, ka shkruar Blerina Kllokoqi-Rugova.

Së fundmi, presidenti ka zgjedhur të dekorojë personalitete të muzikës si Ilir Shaqiri, Shyhrete Behluli e Sabri Fejzullahu, të cilët i kanë pranuar dekoratat.

Njëri nga të dekoruarit e fundit të presidentit është edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti ashkali, Danush Ademi. /Insadjeri.com