Thaçi: Në Uashington do ta shtroj çështjen që Lugina Preshevës t’i bashkohet Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do t'i përgjigjet ftesës së 27 Qershorit në Shtëpinë e Bardhë për t'u takuar me delegasionin e Serbisë.

Thaçi: Në Uashington do ta shtroj çështjen që Lugina Preshevës t’i bashkohet Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është ithtar i idesë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, madje ai këtë e ka quajtur çështje parimore.

Thaçi në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosovapress, ka thënë se bashkimi i Luginës së Preshevës është i vështirë, por ai tha se do ta shtrojë këtë në tavolinë në Uashaington gjatë takimit të  27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk ka marrëveshje mes dy vendeve sovrane pa demarkimin e kufirit, pa caktimin e vijës kufitare prej ekspertëve të dy vendeve. Kjo është metodologjia që ndiqet në rastin e arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke mes dy vendeve. Ata që mendojnë ndryshe tregohen injorant edhe në politikë e diplomaci e gjitha sferat tjera. Demarkimi natyrisht se do të bëhet në vijat aktuale, por duhet të përmbyllet. Kjo hap tema dhe diskutime të ndryshme, unë nuk jam ekspert në këtë drejtim, por nuk mundet të ketë përmbyllje të konfliktit Kosovë-Serbi pa përcaktimin e vijës kufitare, të demarkimit. Natyrisht unë kam qenë, jam dhe do të mbetem ithtar i fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten Kosovës. E di se do të jetë shumë vështirë, por mua nuk më pengon që këtë çështje të shtrojë në tavolinë gjithmonë. Këtë çështje nuk e ka monopol askush dhe nuk është pronë e askujt, siç nuk është as e imja, është çështje parimore dhe në Uashington do ketë biseda parimore të qëndrueshme”, ka thënë Thaçi.

 

Thaçi, poashtu tha se Kosova do të përfaqësohet e barabarartë me Serbinë. Ai është skeptik të ketë gjasa që me 27 qershor të arrihet një marrëveshje në mes dy vendeve.

Presidenti deklaroi se nuk do të ketë mini-shengen dhe se delegasioni i Kosovës do ta bëjë punën mirë.

“Do të ballafaqohemi si palë të barabarta me flamujt tonë shtetëror, do të jenë me mundësi të vogla, minimale për arritjen e ndonjë marrëveshje. Por ne do të bëjmë punën më të mirë. Nuk do të ketë ‘mini-shengen’. Tash ka ide të ndryshme, ka vlerësime të ndryshme prej ekspertëve dhe diplomatëve të ndryshëm evropianë dhe amerikanë. Por realisht, me realitetin do të ballafaqohen vetëm ata që do të jenë në tryezën e bisedimeve”, thotë ai.

Thaçi vlerësoi vizitën e kryeministrit, Avdullah Hoti në Bruksel e planifikuar për 25 qershor, duke thënë se takimet në Bruksel dhe Uashington janë të mirëserdhura.

Ai foli dhe për përfaqësimin e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë.

“Kosova do të jetë e përfaqësuar prej presidentit dhe kryeministrit dhe përgjegjësitë institucionale janë më se të qarta”, tha presidenti Thaçi. /Insajderi/