Thaçi: Nikoliqi është i gërditshëm!

Thaçi: Nikoliqi është i gërditshëm!

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur “të gërditshëm” homologun e tij serb Tomislav Nikoliq.

I ftuar në emisionin “Me Shukin” të RTV Dukagjinit, Thaçi ka thënë se takimet e zhvilluara me Nikoliqin kanë qenë të gërditshme, derisa nuk ka nguruar ta quajë “të gërditshëm” personalitetin e homologut të tij serb.

“Mund të them se takimet që kam zhvilluar me këtë Nikoliqin, defenitivisht… gërrditës… gërrditës si njeri. I zhytur edhe me këmishë, por edhe me shpirt gërrditës”, ka thënë Thaçi.

Thaçi më tej ka folur për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me përfaqësuesit e lartë të Serbisë. Presidenti kosovar ka thënë se nuk i ka lënë përshtypje asnjëherë diplomacia serbe.

“Të them të drejtën nuk kam ndonjë përshtypje për diplomacinë serbe, nuk kam ndonjë përshtypje se janë më të mirë se kosovarët. Përkundrazi, ne jemi treguar më të shkathët se diplomacia serbe”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas Thaçit, Kosova ka fituar në nivelin e diplomacisë ndaj Serbisë në 30-vjetshin e fundit, njofton Insajderi.

“Mund të them lirisht se në tri dekadat e fundit diplomacia e Kosovës ka fituar ndaj diplomacisë serbe”, u shpreh presidenti Thaçi.

Më 24 janar të këtij viti, presidenti Thaçi së bashku me kryeministrin Isa Mustafa kanë zhvilluar takim në Bruksel me homologët e tyre serbë, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq. /Insajderi.com