Thaçi nuk e pret “vizën” nga Kuvendi, e nis krye në vete aventurën me Vuçiqin në Bruksel

Thaçi nuk e pret “vizën” nga Kuvendi,  e nis krye në vete aventurën me Vuçiqin në Bruksel

Një raund i ri bisedimesh, gjatë këtij muaji pritet të nisë procesin e ri negociator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në mungesë të miratimit të platformës dhe konsensusit ndërpartiak, në Bruksel, do të shkojë Hashim Thaçi për ta takuar shefin e shtetit serb Aleksandar Vuçiq. Presidenti i Kosovës konsideron se kjo detyrë i buron nga Kushtetuta e Kosovës, pavarësisht se për këtë ka dallime te spektri politik.

Hashim Thaçi do të nisë i vetmuar fazën e re të dialogut Kosovë – Serbi, e cila mendohet se do të rezultojë me marrëveshje obligative ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij madje po paralajmërojnë se Kosovës do t‘i duhet të bëjë kompromise të mëdha gjatë këtij procesi pasi si zakonisht pozicionet e palëve janë diametralisht të kundërta.

Aktualisht, Thaçi gëzon një mbështetje të kufizuar për këtë proces, atë e përkrah vetëm PDK-ja, AAK-ja e kryeministrit Haradinaj dhe deputeti Labinot Tahiri.

Një dokument i quajtur platformë për bisedimet me Serbinë, ku Thaçi ngarkohet si kryenegociator është tërhequr dje nga rendi i ditës në Kuvend me kërkesë të Ramush Haradinajt pasi LDK-ja të hënën doli me deklaratë ku u tha se nuk do të votojë për.

Por, LDK-ja në refuzimin e saj ka dhënë sinjale se mund të bashkëpunojë përsëri në arritjen e konsensusi pasi në deklaratën e saj thuhet se kjo parti “mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Në këtë reagim të LDK-së, Hashim Thaçi, nuk kontestohet si kryenegociator i mundshëm, mbase për faktin që kjo parti e ka votuar për President atë në shkurt të vitit 2016. Kundër figurës së Thaçit ka reaguar përsëri vetëm deputetja Vjosa Osmani e cila ka shkruar se është detyrë patriotike kundërshtimi i Thaçit.

Sido që të jetë, Bekim Çollaku, shef i Stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të martën mbrëma, ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se “rrethi i ardhshëm i dialogut pritet të fillojë gjatë këtij muaji”.

Sipas Çollakut, është e mundur që ky dialog të kryhet brenda një kohe jo të gjatë – që ai të zgjasë ndërmjet 6 dhe 9 muajve.

“Kjo lidhet edhe me zgjedhjet që do të ndodhin për institucionet e BE-së”, ka thënë Çollaku në T7.

Ai ka parashikuar se epilogu i këtij procesi do jetë “asgjë më shumë a më pak se njohje reciproke”.

Ndërkohë, Presidenti ka paralajmëruar kompromise të rënda me Serbinë ndërkohë që partitë që po kundërshtojnë dialogun janë joshur që të bëhen pjesë e dialogut me arsyetimin se do të marrin pjesë në “një proces historik”.

Sido që të jetë, në këtë rol, Thaçi po kontestohet me argumentet se në bazë të Kushtetutës ai ka të drejtë të përfaqësojë vendin në politikën e jashtme, por jo edhe në procese si ky me Serbinë, ku mund të preket edhe Kushtetuta e vendit. Mbetet të shihet se sa raunde bisedimesh mund t’i vazhdojë i vetëm Thaçi dhe sa partitë politike do t’i rezistojnë mospërfshirjes në një proces historik për vendin, ku përfaqësuesit politikë që marrin pjesë nuk kalojnë keq as financiarisht – pra nuk do t’u mungojnë mëditjet e shumta.