Thaçi pengoi miratimin e ekipit negociator të dialogut

Thaçi pengoi miratimin e ekipit negociator të dialogut

Ka mjaftuar një mospajtim nga presidenti Hashim Thaçi drejtuar zyrtarëve të PDK-së, që të dështojë gjatë së martës në Kuvend votimi i ekipit negociator për dialogun, transmeton KTV.

Draft-ligji dhe projekt-rezoluta për këtë proces, e iniciuar nga PSD-ja, Nisma dhe Alternativa, nuk e patën përkrahjen edhe të PDK-së. Për këtë parti është i papranueshëm zvogëlimi i rolit të presidentit Hashim Thaçi në dialog. Iniciuesit e kësaj nisme presin nga PDK-ja që ta përkrahin draft-ligjin dhe projekt-rezolutën për dialogun me Serbinë.

Pushteti dështoi të martën ta votojë draft-ligjin dhe projekt-rezolutën për dialogun, pasi PDK-ja nuk do të pranojë që roli i presidentit Hashim Thaçi të zvogëlohet në këtë proces.

Kjo nismë e PSD-së, Nismës Socialdemokrate dhe Alternativës, e përkrahur edhe nga AAK-ja, duket se po shkon drejt dështimit.

Deputeti i PDK-së Elmi Reçica, thotë se konsensusi i brendshëm për dialogun është i domosdoshëm, por duke mos e prekur rolin e presidentit në dialog.

Kjo parti e dëshiron Thaçin në krye të këtij procesi.

PSD-ja që është shprehur e gatshme që Shpend Ahmeti t’i bashkohet Fatmir Limajt si bashkëkryesues i ekipit të dialogut dhe thotë se konsensusi politik nuk mund të kushtëzohet për protagonizëm të një njeriu.

Dy partitë e tjera në pushtet, Nisma Socialdemokrate dhe AAK-ja, thonë se tashmë është PDK-ja që duhet të vendosë nëse do ta përkrahë apo jo nismën e tyre.

Këto parti besojnë se mund të arrihet pajtueshmëri për këtë iniciativë për dialogun me Serbinë.

LDK-ja dhe Vetëvendosje kundërshtojnë projekt-rezolutën dhe draft-ligjin për dialogun të iniciuar nga PSD-ja dhe partitë në pushtet.