Thaçi për një vjetorin e Ligjit të FSK-së: Është në shërbim të të gjithë qytetarëve

Thaçi për një vjetorin e Ligjit të FSK-së: Është në shërbim të të gjithë qytetarëve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka uruar një vjetorin e ligjit për FSK-në.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka shkruar se me ligjin e ri të FSK-së, i hapën rrugë asaj që të transformohet.

“Më 14 dhjetor të vitit të kaluar e përmbyllëm një proces të filluar më 2014, me të cilin i vumë themelet e Ushtrisë së Kosovës. Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë”, ka shkruar Thaçi.

Tutje ai është shprehur se “tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë”.

Thaçi ka shkruar se “Forca e Sigurisë së Kosovës si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”. /Insajderi.com