Thaçi për VV-në: Shefi i GP-së përfaqëson identitetin e partisë, këtë nuk e shoh te Kusari-Lila

Thaçi për VV-në: Shefi i GP-së përfaqëson identitetin e partisë, këtë nuk e shoh te Kusari-Lila

Njohësi i çështjeve politike në vend, Jusuf Thaçi, ka kritikuar vendimin për emërimin e Mimoza Kusari – Lilës, ushtruese detyre e udhëheqësit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Thaçi thotë se shef i grupit parlamentar duhet të jetë një person që mishëron, përfaqëson dhe simbolizon më së miri e më së shumti aspektet themelore identitare të subjektit politik parlamentar përkatës (ideologjinë, filozofinë, historinë, vizionin, qëllimet, qëndrimet, etj. të subjektit politik).

Derisa këto tipare ai nuk i sheh te Kusari – Lila, e cila siç thotë ai “nuk është madje as pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Tutje, Thaçi ka shtruar pyetje nëse me këto veprime Lëvizja Vetëvendosje po heq dorë nga identiteti i saj.

“Nëse LVV vendos përfundimisht që Shef i grupit parlamentar të LVV-së të bëhet një person që nuk është as anëtar i LVV-së dhe me të cilin (aq sa dimë) ka edhe mospërputhje për gjëra themelore, atëherë cili është mesazhi i këtij vendimi të LVV-së?! 1) LVV po heq dorë nga identiteti i vet?! Apo 2) LVV nuk ka asnjë deputet/e tjetër të aftë e të shkathtë, e/i cila/i e mishëron, e përfaqëson dhe e simbolizon më së miri e më së shumti identitetin e LVV-së, në mënyrë që ai/ajo të zgjidhet Shef i grupit parlamentar të LVV-së?!”, ka shkruar ai. /Insajderi.com