Thaçi përsëri thirrje shqiptarëve në Mal të Zi: Mbështeteni Listën Shqiptare

Thaçi përsëri thirrje shqiptarëve në Mal të Zi: Mbështeteni Listën Shqiptare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë një thirrje të dytë shqiptarëve në Mal të Zi, që në zgjedhjet e së dielës të dalin masovikisht në zgjedhje dhe ta mbështesin Listën Shqiptare, njofton Insajderi.

“U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhje për ta mbështetur Listën Shqiptare, në mënyrë që ta avancojnë përfaqësimin e tyre politik dhe ta sigurojnë ecjen përpara të Malit të Zi drejt së ardhmes euroatlantike, si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, shkruan Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

“Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, thuhet në postimin e presidentit kosovar.

“Çdo kontribut i dhënë për avancimin e agjendës evropiane të Malit të Zi e çon përpara bashkimin e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane”.

Presidenti edhe ditën e djeshme ka pasur thirrje përafërsisht të njëjtë për bashkëkombësit në Mal të Zi.