Thaçi: Policia e Kosovës është më e mira në rajon

Thaçi: Policia e Kosovës është më e mira në rajon

Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, sot gjatë ceremonisë së përvjetorit të 19-të të themelimit të Policisë së Kosovës ka folur rreth rëndësisë që ky institucion ka, duke lavdëruar punën e tyre.

“Policia e Kosovës që nga ditët e para, e posaçërisht pas pavarësisë së Kosovës, u bë shtylla jonë më e fortë e shtetndërtimit. Policia e Kosovës, gra dhe burra, u bënë shpejt institucioni më i besueshëm në Kosovë. Me krenari e them gjithmonë, që raportet e shumta ndërkombëtare e vendosin Policinë e Kosovës lart mbi policitë e vendeve të rajonit. Ky institucion i ka dhënë Kosovës shumë. I ka dhënë arsye për të qenë krenar. I ka dhënë kuadro që kanë udhëhequr e po udhëheqin institucionet më të rëndësishme të vendit. Ju i keni dhënë Kosovës edhe heronj si Enver Zymberi dhe shumë të tjerë. Sot e mot përulemi para jetës dhe veprës së tyre”, u shpreh Thaçi.

Kreu i shtetit po ashtu shtoi se Policia e Kosovës ka detyrën më të shenjtë, atë të mbrojtjes së jetës së njeriut, krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë dhe luftimin e fenomeneve negative që e rëndojnë rajonin dhe vendin tonë.

“Sigurisht shumë progres është arritur. Por, ne të gjithë duhet të bëjmë edhe më shumë që të çrrënjosim këto dukuri negative, në bashkërendim të plotë me institucionet tjera. Ne të gjithë duhet të bëjmë shumë më shumë që policët e inkriminuar në vepra korruptive dhe kriminale mos të kenë mundësinë asnjëherë të veshin këtë uniformë të shenjtë. E posaçërisht, ne duhet të bëjmë shumë më shumë për mbrojtjen e jetës së gruas. Është e vërtetë, dhunë në familje dhe në rrugë ka dhe gruaja fatkeqësisht i nënshtrohet dhunës verbale e fizike. Por, ajo që e bën dallimin është mënyra sesi reagojnë institucionet, mënyra se si reagon shoqëria”, deklaroi ai.

I pari i vendit veç tjerash ka folur edhe për dhunën verbale dhe fizike që ushtrohet ndaj vajzave dhe grave tona, duke theksuar që ky fenomen assesi nuk duhet të shndërrohet në normalitet.

“Kudo që dhuna shfaqet, në rrugë, në shtëpi, në ambiente të punës, kudo qoftë, ne duhet të jemi të pakompromis në luftimin e këtij fenomeni të shëmtuar. Neglizhenca për të vepruar në raste të tilla do të jetë e pafalshme dhe e ndëshkueshme. Policia e Kosovës duhet të jetë në ballë të këtij procesi, duke dhënë shembull për të gjithë të tjerët”, përfundoi presidenti Thaçi.