fbpx

Thaçi: Rajoni mund të destabilizohet shkaku i Kosovës dhe Serbisë

Thaçi: Rajoni mund të destabilizohet shkaku i Kosovës dhe Serbisë

I pari i shtetit, Hashim Thaçi ka thënë se rajoni mund të destabilizohet nëse nuk arrihet një marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë.

Në fjalën e tij hyrëse në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, presidenti ka thënë se përmbyllja e dialogut politik me Serbinë, me marrëveshjen ligjërisht obligative që nënkupton njohje reciproke, është interes nacional i Kosovës.

“Ne duam që një herë e përgjithmonë ta qartësojmë raportin tonë si shtet me shtetin e Serbisë, gjë që mund të arrihet vetëm përmes një dialogu që do t’i ketë afatet kohore të qarta, objektivat precize, garancat dhe mbështetjen ndërkombëtare, në radhë të parë të SHBA-së dhe BE-së. Nuk kam kurrfarë dyshimi që nëse këtë vit nuk do ta bëjmë marrëveshjen ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve, që mund ta destabilizojë gjithë rajonin”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se fatkeqësisht situata dhe zhvillimet e fundit nuk janë aspak premtuese dhe gjërat nuk po lëvizin fare.

“Përkundër iniciativave të fundit për ta zhbllokuar dialogun, rezultati është zero. Mungesa e dialogut dhe e perspektivës së arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rreziku më i madh i mundshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, shtoi presidenti.