Thaçi takohet me deputetët e 6+, thotë se duhet zgjidhje por nuk përmend zgjedhjet

Thaçi takohet me deputetët e 6+, thotë se duhet zgjidhje por nuk përmend zgjedhjet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se është takuar me deputetët e Grupit Parlamentar 6+ për t’u konsultuar për hapat që duhet ndërmarrë në “realitetin e ri të krijuar politik”, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Në një njoftim nga presidenca, thuhet se Thaçi po shqyrton mundësitë që me partitë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme për nxjerrjen e vendit nga situata aktuale, por askund nuk përmenden zgjedhjet e reja, për të cilën janë deklaruar pro të gjitha partitë parlamentare.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vazhduar konsultimet me partitë politike për hapat që duhet ndërmarrë në realitetin e ri të krijuar politik. Presidenti Thaçi ka takuar deputetët nga Grupi Parlamentar 6+, Albert Kinollin, i cili është përfaqësues i komunitetit rom, Danush Ademin, përfaqësues i komunitetit ashkalinj dhe Veton Berishën, përfaqësues i komunitetit egjiptian. Presidenti Thaçi ka thënë se po shqyrtohen mundësitë që në konsultime me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme për nxjerrjen e vendit nga kjo situatë e re politike”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu thuhet se takimet e Thaçit me përfaqësuesit e partive politike do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme./ Insajderi.com