Thaçi tregon a ka mbajtur takime sekrete me Vuçiqin

Thaçi tregon a ka mbajtur takime sekrete me Vuçiqin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka quajtur lajme të rreme raportimet e medieve se ai ka pasur takime të fshehta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për të bërë kompromise për Kosovën.

Thaçi deklaroi se nuk ka pasur asnjë takim sekret me Vuçiqin, pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve.

“Edhe këto janë Fake News që po prezantohen në media, që po merren nga opinionet e Vuk Jeremiqit dhe medieve ruse. Asnjë takim s’ka pasur sekret me Vuçiqin, pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve, e pa njoftuar. Takime diskrete e të mbyllura nuk kanë ndodhur as nuk kanë me ndodhë”, ka thënë Thaçi në T7.

Ai tha se është takuar në kryeqytete të ndryshme evropiane me Vuçiqin, ku shpeshherë ka ndodhur që ai të dalë nga takimet, e Thaçi të hyjë në takim.

“Kanë ndodhur takime në kryeqytete të Evropës, ku ai ka dalë, unë kam hy në takim, apo diçka të tillë”, shtoi ai.

Tutje ai tregoi se si kancelaria gjermane Angela Merkel e kishte telefonuar, pas takimit që kishte pasur me Vuçiqin.

“Unë kam biseduar edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel. Kemi diskutuar se si duhet të normalizohen raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe nënshkrimi i një marrëveshje obligative ligjore që do t’i hapte rrugën Kosovës për anëtarësim në OKB”, përfundoi Thaçi.