
Presidentit Hashim Thaçi si duket nuk i nevojitet më ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, e cila në shkurt të vitit 2016 kishte votuar që Thaçi të bëhej president.
Thaçi ka marr vendim për ta shkarkuar, ambasadoren Lama nga ky post për t’i bërë vend, Bukurije Gjonbalajt.
Në dekretin e nënshkruar nga presidenti Thaçi, thuhet se urdhërohet Ministria e Punëve të Jashtme që të marr sa më shpejt veprimet e nevojshme lidhur me shkarkimin e zonjës Lama.
“Urdhërohet tërheqja nga Misioni Diplomatik i znj. Alma Lama, Ambasadore/Shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti. Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, shkruan në Dekretin e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Lama ishte ngrakuar me punë në postin e Ambasadorës së Kosovës në Itali më 2016, pas koalicionit qeverisës të arritur mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Alma Lama ishte shpërblyer me postin e ambasadores pasi që gjatë kohës sa ajo ishte deputete e LDK-së, kishte dhënë votën pro për të bërë president, Hashim Thaçin. /Insajderi.com