Thellohet përçarja ndërmjet Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt

Thellohet përçarja ndërmjet Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt

Edi Rama, e ka quajtur ‘gënjeshtar’ Ramush Haradinajn.

Ky reagim i kryeministrit shqiptar erdhi pas deklaratës së homologut të tij kosovar, i cili tha se minishengeni ka qëllim heqjen e taksës që Kosova ka vendosur ndaj produkteve serbe.

“Një ndërhyrje prej një të padituri klasik që merret llokum e më pas mbllaqitet mediatikisht. Si bëhet kjo?! Më thoni mua si?! Nuk ka asnjë nyje detyruese kjo marrëveshje. Zoti Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri, gënjen nga padija  apo qëllimisht nuk kam arritur ta zbuloj as nuk kam ndërmend ta zbuloj por e vërteta është se ai është gënjeshtar”, ka thënë Rama, shkruan Insajderi.

“Nuk ka asnjë kusht dhe asnjë detyrim. Kjo nismë ka thjesht një qëllim të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve, dhe unë dua që në këtë proces të fusim element të tjerë si ajo që ka të bëjë me zhbllokimin e ngërçit për energjinë. Po si zhbllokohet? Me facebook?! Me sharje me mbyllje? Nuk di. Kjo është gënjeshtër nuk ka asnjë lloj detyrimi në këtë aspekt”.

Ndryshe sot në Shqipëri është mbyllur Samiti i tretë për “minishengenin ballkanik”, ku morën pjesë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri në detyrë i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Në këtë takim është ftuar edhe presidenti Hashim Thaçi, por i njëjti ka refuzuar të marrë pjesë në takim. Në samit nuk është ftuar Ramush Haradinaj.

Ky nuk është rasti i parë që Rama dhe Haradinaj thumbojnë rëndë njëri-tjeterin, shkruan Insajderi.

Megjithatë përplasaj Rama-Haradinaj është vënë në pah sidomos gjatë tërmetit në Shqipëri.

Edi Rama gjatë gjithë atyre ditëve komunikonte me presidentin Hashim Thaçi dhe jo me homologun e tij, Ramush Haradinaj. Ky i fundit poashtu refuzonte kryeministrin shqiptar dhe komunikonte me presidentin Ilir Meta.

Ndryshe Haradinaj edhe në shkurt të 2018 ia kishte kujtuar Ramës që të mos përzihet në puntë e Kosovës.

Rama atë kohë kishte deklaruar se “demarkacioni ka qenë temë e shpikur” dhe se tërë fajin për atë proces ia kishte hedhur Haradinajt.

Por si për ta qetësuar situatën – Rama më pas i kishte shkuar në shtëpi Haradinajt dhe bashkë “kishin përplasur gotat”, siç pati thënë kryeministri shqiptar në mbishkrimin e fotografisë së publikuar./Insajderi.com