Kandidati për kryetar të Gjakovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka dalë të jetë fitues në balotazhin e zgjedhjeve lokale.
Gjini ka fituar 53.95 për qind të votave, duke lënë pas kandidaten Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa, me vetëm 46.51 për qind.
Nga rezultati i këtij balotazhi, AAK del të jetë fituese në shtatë komuna, ndërsa Gjini është shprehur i lumtur për rezultatet.
Në një shkrim në Facebook, Gjini madje ka theksuar se ndjen përgjegjësi për katër vitet që vijnë dhe se mesazhi i tij kryesor gjatë kësaj fushate ka qenë bashkimi i njerëzve, dhe se kjo ide do t’i prijë gjatë katër viteve të ardhshme.
Shkrimi i plotë:
Të nderuar qytetar të Gjakovës,
Urime zgjedhjet!
Po aq sa jam i lumtur dhe i gëzuar që kam marruar besimin tuaj, aq ndjej edhe përgjegjësi për katër vitet qe vijnë, që nga ky çast.
Mesazhi im kryesor gjatë kësaj fushate ka qenë bashkimi i njerëzve, kjo ide do të më prijë gjatë katër viteve.
I falënderojë të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e Aleancës, keni qenë të mrekullueshëm.
I falënderojë edhe mbështetësit nga PDK, PSHDK dhe Nisma.
Qytetarët e Gjakovës kanë treguar se e mbështesin vizionin tonë për bashkim.
Në të njëjtën kohë, gjithë atyre që sonte ndihen humbës ju premtoj se krejt çka kanë humbur është një garë politike.
Unë dhe gjithë kolegët e mi do të kujdesemi që asnjë qytetar i Gjakovës të mos jetë humbës por të gjithë fitues!