Tifozët nga Klina arsyetojnë demolimin e stadiumit në Mitrovicë

Tifozët nga Klina arsyetojnë demolimin e stadiumit në Mitrovicë

Grupimi i tifozëve “Hithat” nga Klina, që mbështesin skuadrën e Dukagjinit, kanë thënë se demolimi i stadiumit në Mitrovicë nuk përbën problem të madh për ta, pasi sipas tyre, gjëra të tilla ndodhin në të gjithë botën.

Ndeshja e barazhit ndërmjet Dritës së Gjilanit dhe Dukagjinit të Klinës ka sjell përleshje mes tifozerive të të dyja ekipeve në fundin e takimit.

Pas përfundimit të takimit, tifozët e Dritës kanë hyrë në fushën e lojës dhe janë drejtuar drejt pjesës perëndimore të tribunës së stadiumit “Riza Lushta” në Mitrovicë – ku po qëndronin tifozët nga Klina.

Të dyja grupet e tifozëve fillimisht patën përplasje verbale, derisa ajo eskaloi me hedhjen e gjësendeve të forta mes grupimeve. Tifozët e Dukagjinit filluan të demolojnë stadiumin. Ata thyen karriget e vendosura në tribunën qëndrore të stadiumit, duke i gjuajtur tifozët e Dritës.

Përmes një njoftimi në Facebook, ky grupim tifozerik ka thënë se nuk kanë mundur ta kontrollojnë veten.

“Të gjithë janë në dijeni për incidentin që ndodhi sot pas lojës kundër Dritës, por në mënyrë publike kerkojmë falje për atë që ndodhi, këto gjëra ndodhin çdokund në botë, kur të humb klubi i zemrës dhe janë momente që nuk i kontrollon dot”, thuhet në njoftimin e tifozëve nga Klina.

Ata thonë se asnjë anëtar i tifozerisë nuk është arrestuar për demolimin e stadiumit.