TikTok refuzon ofertën e Microsoft

TikTok refuzon ofertën e Microsoft

Microsoft ka thënë që oferta e saj për të blerë operacionet amerikane të aplikacionit jashtëzakonisht të famshëm për ndarjen e videove TikTok është refuzuar, duke i hapur rrugën Oracle të bëjë një ofertë në minutën e fundit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump,  dha një afat 15 shtator për aplikacionin në pronësi kineze për të shitur ose mbyllur, njofton Insajderi.

Administrata Trump pretendon se TikTok dhe aplikacionet e tjera kineze janë kërcënime të sigurisë kombëtare për SHBA-të.

Microsoft dhe Oracle udhëhoqën garën për të blerë TikTok nga firma kineze ByteDance.

Wall Street Journal dhe Reuters raportuan se Oracle, e cila shet teknologji të bazave të të dhënave dhe sisteme cloud bizneseve, kishte fituar luftën e ofertave, duke cituar njerëz të njohur me këtë çështje, raporton BBC.

Raportet e mëparshme kishin thënë se Oracle po mendonte seriozisht të blinte bizneset e TikTok në SHB.A., Kanada, Australi dhe Zelandën e Re me firmat e investimeve, përfshirë General Atlantic dhe Sequoia Capital./Insajderi.com