Titulli në Prizren apo Prishtinë, flasin Emra dhe Konjusha

Titulli në Prizren apo Prishtinë, flasin Emra dhe Konjusha

Të shtunën zhvillohet ndeshja e pestë dhe e fundit e serisë finale të Play-Offit në konkurrencën e femrave, ku Bashkimi e pret Prishtinën.

Prizrenaset në takimin e fundit në kryeqytet mposhtën prishtinaset me rezultatin 71-79 për ta barazuan serinë e finaleve në 2:2.

Dy ditë para kësaj sfide për Insportin folën dy basketbollistet nga të dyja kampet, Ulpiana Emra nga Bashkimi, kurse nga Prishtina, Irma Konjusha.

Ulpiana Emra beson vetëm në triumf të shtunën mbrëma, me kupën që do të mbetet në Prizren.

“Kjo finale me të vërtet është ndër më të mirat viteve të fundit. Katër ndeshje radhazi mendoj që dhanë një basketboll mjaftë të bukur. Seritë finale gjithmonë janë të vështira edhe për ne ndodhi ashtu. Personalisht mendoj që edhe ndeshja e tretë në Prizren duhej të na takonte neve e tani ne veç të ishim shpallur kampion po gjithsesi në ndeshjen e pestë ne do ta tregojmë forcën tonë të vërtete dhe ta mbrojmë titullin kësaj radhe në qytetin tonë para shikuesve tanë”, potencoi Emra.

Emra në fillim të ndeshjes së fundit pësoi një lëndim por a do të paraqitet ajo të shtunën?

“Në fillimin e ndeshjes së fundit unë e pata një lëndim që nuk më lejoi ta vazhdoj ndeshjen mirëpo besoj që deri të shtunën gjithçka do të jetë në rregull dhe do të jem gati ti ndihmojë ekipit tim ta fitojmë titullin e dytë radhazi së bashku”, e mbylli deklaratën Ulpiana.

Në anën tjetër, titullin e kërkon edhe kapitenia e Prishtinës, Irma Konjusha.

“Është ndeshja e fundit, do mundohemi të japim gjithçka nga vetja , gabimet që i kemi bërë mbrëmë do t’i përmirësojmë. I kemi mposhtur në Super Kupë dhe Kupën e Kosovës, edhe në kampionat do ta bëjmë të njëjtën gjë”, tha Konjusha.

Kujtojmë që takimi i fundit në mes Bashkimit dhe Prishtinën në konkurrencën e femrave luhet të shtunën me fillim nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Suroi” në Prizren./Insporti