Tradhtia e elektoratit të LDK-së, ‘argat’ i Thaçit dhe shpenzimi i 187 mijë eurove – A ishin këto arsyet që Naser Rugova dështoi të bëhet deputet

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, këtë herë ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Pozitën e deputetit, dukagjinasi që vjen nga komuna e Istogut, nuk do ta gëzojë në legjislaturën e shtatë. Pragun prej 7500 votave sa do duhej t’i merrte, Rugova nuk e ka arritur.

Naser Rugova, që disa legjislatura ishte deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njoftimin për mos kalimin e pragut e kishte bërë vet, pa e pritur njoftimin zyrtar të Komisionit Qendror Zgjedhor(KQZ).

Ai më 13 tetor kishte shkruar në profilin e tij në ‘Facebook’ se nuk do të jetë më pjesë e Kuvendit të Kosovës. Rugova ka tentuar ta neutralizojë mos fitimin e besimit të votuesve të tij në këto zgjedhje parlamentare dhe ka thënë se nuk i ka mbetur hatri që nuk do ta ketë ulësen e deputetit.

“Në bazë të dhënave të para duket që kësaj here nuk do të jem pjesë e Kuvendit. Dua të ju sigurojë që unë nuk jam nga ata që fajin për këtë e kërkon në teori konspirative, reale apo imagjinare, pasi që konsideroj se interesi i LDK është më i rëndësishëm se hatërmbetjet individuale”, kishte shkruar Rugova.

E arsyet që Rugova nuk mori mbështetjen e sovranit në zgjedhjet e 6 tetorit, mund të jenë nga më të ndryshmet. Ish-deputeti i LDK-së, njihet në opinion me mungesën e tij të datës  1 nëntor 2018 në seancën e kuvendit për votimin e rezolutës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, që synonte t’ia ndalonte Presidentit Hashim Thaçi diskutimin për kufijtë në dialogun me Serbinë.

Naser Rugova mungesën e tij e kishte arsyetuar se ka pasur një  termin në Ambasadën e Hungarisë.

“Skam marrë fare pjesë në votim se kam pas termin në ambasadë hungareze për vizë sepse kam udhëtim jashtë vendit. E kam pas të caktuar domethënë” kishte deklaruar Rugova.

Se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, ishte vërtetuar vetë nga ish-deputeti Naser Rugova.

Gazeta Online Insajderi kishte mësuar se në ditën e aplikimit të Rugovës, Ambasada Hungareze nuk kishte punuar pasi që ajo datë, (1 nëntor) është festë zyrtare e shtetit hungarez.

Ish-deputeti i LDK-së, pas kësaj, kishte fyer e ofenduar Gazetën Insajderin.

Kjo nuk ishte e tëra.

Naser Rugova, pas zbulimeve të Gazetës Insajderi, kishte shpenzuar 187 mijë euro në SHBA për të lobuar për të ardhmen e tij politike dhe për interesat e tij biznesore.

Këto zhvillimet e patën dëmtuar atë edhe në karrierën politike. Imazhi i tij ishte dëmtuar pas dyshimeve se është shndërruar në argat të Thaçit.

Ndërkohë, Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një prononcim nga ish-deputeti Rugova se përse ai nuk e ka fituar besimin e qytetarëve edhe për një mandat në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ai nuk i është përgjigjur thirrjeve./ Insajderi.com