Tradita e festimit të Vitit të Ri në Shqipëri, ndër vite

Tradita e festimit të Vitit të Ri në Shqipëri, ndër vite

Darka e Vitit të Ri është një traditë e vjetër për shqiptarët. Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane që festojnë Krishtlindjet, për Shqiptarët darka e Vitit të Ri është më e rëndësishmja.

Në fakt tradita që kemi sot më shumë është vijim i ca zakoneve të krijuara vite më përpara.

Ja disa detaje që i mbajmë mend që fëmijë .

Dita më e rëndësishme ishte: 31 Dhjetori pra Nata e Vitit të Ri. Punonjësit merrnin dhurata për fëmijët e tyre, dyqanet ishin të mbushura me ushqime që nuk mund t’i blije gjatë vitit.

Amvisat merrnin një ditë pushim për të pastruar shtëpinë. Motivimi ishte i madh, duke pastruar shtëpinë pasi do vinin për vizitë të afërmit e komshinjtë, por dhe duke blerë mobilje apo sikur diçka të re për të zbukuruar shtëpinë. Njerëzit kishin bindjen se duke bërë kaq shumë gjëra, Viti i Ri do t’i gjente më të begatë.

Zakonisht nata e vitit të Ri festohej në shtëpi, pastaj në ditët e para të Janarit, shqiptarët vizitojnë të afërmit e tyre ose fqinjët duke i uruar për Vitin e Ri. Ishte shumë interesante pasi brenda ditës mund ta shihnin njëri tjetrin dy herë, pra në mëngjes njëra palë vizitonte shtëpinë e të afërmve apo fqinjëve dhe pasdite ata do t’ua kthenin vizitën. Ishte si një ndjesi konkuruese, kush qeraste me më shumë ëmbëlsira, pije, fruta të freskëta e të thata.

Gjithsesi Nata e Vitit të Ri para së gjithash kishte të bënte me ushqimin. Dhe kështu është sot e kësaj dite. Edhe sot përgatitja e darkës fillon një javë para Natës së Vitit të Ri, me gatimin e bakllavasë (ëmbëlsirën tradicionale të Vitit të Ri) e cila dhe pse vitet kalojnë dhe priremi drejt modernes bakllavaja është ”mbretëresha” e tavolinës për darkën e ndërrimit të viteve. Në këto vitet e fundit në tryezën e vitit të ri janë shtuar dhe ëmbëlsira të kohëve të fundit si trileçe,tortat e akullta ,pannacotta e shumë të tjera kjo për faktin se njerëzit në vitet e fundit kanë tendencën për ushqime me më pak kalori.

Gatimi Tradicional

Gatimi tradicional ka qenë gjithmonë gjeli i detit i pjekur ose i skuqur. Njerëzit e shërbejnë në mënyra të ndryshme, por më e preferuara është shoqërimi i gjelit të detit me përshesh, pra kulaç i thërrmuar dhe i regjur në lëngun e gjelit apo pulës së pjekur. Mishi i viçit, i qengjit, apo i derrit nuk mungojnë në tryezë. Në zona të ndryshme, si psh. në Gjirokastër preferohet Byreku me Mish, ose lakrorë të ndryshëm.

Në zonat buzë detit, apo në qytetet liqenore, si Pogradeci psh, mbetet mbret i tryezës tava me peshk.

Megjithatë fantazitë e tjera, si lloje te ndryshme sallatrash, antipastash, nuk mungojnë në tryezat e shqiptarëve,ku në vitet e fundit vihet re dhe një shumëllojshmëri sallatash me perime pak më të veçanta si brokoli, finok, sallata ajsberg që e bëjnë tavolinën e vitit të ri të duket plot ngjyra e me finesë.

E rëndësishme për shqiptarët vazhdon të mbetet idea se tavolina duhet të jetë plot e përplot edhe nëse familja ka pak anëtarë.

Programet televizive dikur dhe sot

Dikur njerëzit teksa përgatisnin gjithë këtë darkë mezi prisnin të fillonin programet e humorit në televizionin e vetëm atë kohë në TVSH. Programi zgjaste deri pasmesnate dhe më pas shfaqnin një film ekskluziv deri në orën 2-3 të mëngjesit.

Ndërsa sot programet janë të larmishme, që nga spektaklet e shumëllojshme, festivalet programet argëtuese për çdo grup moshë, humori ku duket të jetë përsëri programi më i preferuar për Vitin e Ri, për shqiptarët.

Tradita po ndryshon

Tradita së fundi duket se po ndryshon. Tashmë familjet gatuajnë vetëm për veten e tyre. Përveç kësaj, ata i përgatisin pjatat e tyre sipas preferencave, për shembull, gatime me prodhime deti, sallata, ose antipasta. Ka akoma shumë familje që vazhdojnë dhe ruajnë traditën dhe ne kjo gjë është një tregues që tradicionalja është gjithmonë e bukur.

Por, tani është trendi që darka e Vitit të Ri të festohet në restorante të ndryshme, që ofrojnë menu të shijshme. Çmimet mund të mos jenë të përballueshme për shumicën e Shqiptarëve, megjithatë sot ka shumë variacione për të darkuar në Tiranë.

Njerëzit këto vitet e fundit e sidomos të rinjtë e kanë kthyer në traditë që në orën 12:00 të bëjnë gëzuar me familjarët e pastaj ti bashkohen miqve të tyre për të festuar në lokalet e natës nën ritmet e muzikës deri në orët e para të ditës së parë të viti të ri. Tirana po dhe shumë qytete të tjera të Shqipërisë ofrojnë një gamë të gjerë zgjedhjesh për festimin e viti të ri jashtë shtëpisë që nga lokalet e baret e ndryshme e deri tek arredimet dhe argëtimi që ofrojnë.

Në fund të gjitha këtyre ndryshimeve të shqiptarëve e rëndësishme është që të jemi të rrethuar nga familja, të afërm e miq të mirë,pasi ne shquhemi që na pëlqen të jemi për festa të rrethuar nga shumë njerëz e të festojmë duke trokitur gotat për ti uruar një vit të mbarë njëri-tjetrit.