Trafikantët shantazhojnë Gareth Bale

Trafikantët shantazhojnë Gareth Bale

Nëse në fushë mbetet një prej elementëve më të rëndësishëm të Realit të Madridit, Gareth Bale vazhdon të ketë probleme në jetën jashtë fushe. Një bandë kriminale e ka kërcënuar yllin uellsian se do të publikojë fotografinë e vajzës së tij 4-vjeçare, pranë një bime kanabisi.

Edhe pse fotografia mendohet se është e montuar, sulmuesi i “Los Blancos” ka përforcuar masat e sigurisë, duke rritur numrin e personelit që ruan familjen e tij.

Ngjarja vjen pas problemeve që familja Bale përjetoi gjatë Shtatorit të kaluar, kur familja e partneres së futbollistit ishte viktimë e një agresioni, ndërsa edhe vetë 27-vjeçari i Realit qarkullonte i shoqëruar me persona që kujdeseshin për sigurinë e tij.

Sipas rindërtimit në ngjarjes nga tabloidi britanik, “The Sun” këtë herë janë disa trafikantë që e shantazhuan yllin nga Uellsi, duke i kërkuar para, në të kundërt e kërcënuan se fotografia e vajzës së tij minorene, Alba, do të përfundonte në internet.

Policia ka nisur hetimin për këtë çështje, ndërsa sipas burimeve pranë hetuesve dyshohet se bëhet fjalë për një fotografi të pavërtetë të voogëlushes. Ndërkohë, janë përforcuar masat e sigurisë rreth futbollistit të Realit të Madridit, partneres së tij Emma Rhys-Jones dhe dy vajzave të vogla të çiftit.