Tre liderët kundër arrestimit: Kush i kidnapoi gylenistët?

Tre liderët kundër arrestimit: Kush i kidnapoi gylenistët?

Tre liderët më të lartë të shtetit të Kosovës: kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë thënë sot njëzëri se janë të painformuar lidhur me arrestimin e gjashtë shtetasve turq, pjesëtarë të organizatës “Gulistan”.

Emrat e gjashtë të arrestuarve janë Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar gjatë ditës edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka mbrojtur arrestimet që janë realizuar sot. Ministria ka thënë se gjashtë personave të arrestuar u është revokuar leja e qëndrimit.

Sipas ministrisë që udhëhiqet nga njeriu i AKR-së, Flamur Sefaj, gjashtë personat kanë qëndruar jashtëligjshëm në Kosovë.

Por, asnjëri prej tre liderëve kryesor të shtetit nuk janë në dijeni për detajet e aksionit të zhvilluar sot. Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj kanë dalur kundër arrestimit të gjashtë shtetasve turq.

Kreu i shtetit Hashim Thaçi është shfajësuar në lidhje me këto arrestime. Ai ka thënë se askush nuk guxon të persekutohet, censurohet apo edhe deportohet për shkak se ka një besim apo ideologji ndryshe nga dikush tjetër.

Thaçi është shprehur se është informuar nga organet kompetente pas ngjarjes se gjashtë shtetasë janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë.

Presidenti kosovar ka kundërshtuar këto arrestime, teksa ka thënë se shteti ka dështuar.

“Sot jemi të zhgënjyer për shkak se institucionet tona relevante, për arsye që mbetet të sqarohen deri në fund, kanë dështuar të mbrojnë këto parime që ndërlidhen me të drejtat njerëzore të shtetasve të huaj, që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë”, ka thënë Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur kundër arrestimit të gjashtë personave turq që jetonin dhe vepronin në Kosovë. Kryeministri ka thënë se nuk është informuar nga askush lidhur me aksionin e sotëm.

“Sot përmes një operacioni të ndërmarrë nga AKI në bashkëpunim me Policine e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri kosovar ka paralajmëruar masa ndaj personave përgjegjës të këtij aksioni.

“Si Kryeministër i Kosovës, duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkaq, edhe kryeparlamentari Kadri Veseli është shprehur kundër arrestimit të gjashtë pjesëtarëve të organizatës “Gulistan” në Kosovë.

Por, nëse asnjë zyrtar i lartë shtetëror nuk është në dijeni për arrestimin e këtyre gjashtë shtetasve turq, kush i kidnapoi ata?

Për gjashtë shtetasve turq nuk ka pasur asnjë urdhërarrest nga Gjykata, por aksioni dyshohet të jetë ndërmarr nga Agjencia Kosovare e Intelegjencës (AKI).

Siç kanë raportuar mediat turke gjatë ditës së sotme, aksioni i arrestimit të gjashtë shtetasve turq në Kosovë është zhvilluar mes Shërbimit Sekret të Turqisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Madje, mediat turke kanë shkruar se Shërbimi Sekret i Turqisë ka një avion të posaçëm në Kosovë, me të cilin është përgatitur ekstradimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi. /Insajderi.com