Tre njerëzit më të pasur në SHBA, Bill Gates, Jeff Bezos dhe Warren Buffett, kanë më shumë pasuri se gjysma e popullatës amerikane, apo 160 milionë amerikanë së bashku.
Instituti për Studime Politike thotë se rritja e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve ka krijuar një krizë morale.
Në një raport, Instituti thotë se propozimet për ndryshimin e sistemit të taksave të Donald Trump do të thellonin edhe më shumë pabarazitë ekzistuese, sepse 80 për qind e përfitimeve nga taksat do t’i shkonin 1 përqindëshit të të pasurve.
Sipas studimit, miliarderët e përfshirë në listën e 400 personave më të pasur në SHBA të revistës “Forbes”, kanë një pasuri prej 2.67 trilionë dollarësh, më shumë sesa Produkti i Brendshëm Bruto i Britanisë së Madhe.
Sipas raportit, miliarderët po vazhdojnë të distancohen nga pjesa tjetër e njerëzve, madje me shkallën më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë. “Ne nuk kemi parë nivele kaq ekstreme të përqëndrimit të pasurisë dhe pushtetit që prej një shekulli më parë”, thanë hartuesit e raportit.
“Forbes” e cilësoi vitin 2017 si një tjetër vit rekord për njerëzit e pasur në Amerikë, ndërsa çmimi për t’u pranuar në klubin më ekskluziv është rritur me 18 për qind, ose në 2 miliardë dollarë.