Trump dhe Erdogan përforcojnë presionet ndaj Arabisë Saudite

Presidenti amerikan Donald Trump ka përforcuar presionin ndaj Arabisë Saudite që të ofrojë informata rreth asaj se çfarë ndodhi me gazetarin e zhdukur saudit Jamal Khashoggi, duke porositur se ai është i vendosur ta zbulojë të vërtetën në lidhje me këtë rast.

Trump dhe Erdogan përforcojnë presionet ndaj Arabisë Saudite

Trump e ka quajtur rastin e gazetarit saudit “situatë shumë serioze”, e me këtë rast ka biseduar me zyrtarët saudit në nivelin më të lartë.

Mirëpo presidenti amerikan nuk ka zbuluar me kë ka biseduar.

BBC përkujton se autoritetet turke pretendojnë se Khashoggi është vrarë, gjë që Arabia Saudite demanton.

“Nuk duhet të lejojmë që gjërat e tilla t’i ndodhin gazetarëve, askujt. Ne kërkojmë gjithçka. Duam të dimë se çfarë po ndodh atje”, ka thënë dje Trump.

Ai ka pretenduar se dëshiron ta ftojë të fejuarën e Khashoggit në Shtëpi të Bardhë, transmeton Reuters.

Zyrtarët turq frikohen se ai është vrarë në kompleksin e konsullatës, derisa zyrtarët sauditë pretendojnë se ai e ka braktisur ndërtesë i palënduar, por nuk kanë ofruar dëshmi se ai ka dalë nga ndërtesa.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është duke ushtruar presion gjithnjë e më të madh në Arabinë Saudite për shkak të zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi gjatë vizitës në konsullatën saudite në Stamboll javën e kaluar.

“Nuk mund të mbetemi të shurdhër për këtë incident”, ka deklaruar Erdogan për gazetarë, të cilët fluturonin me të nga Hungaria.

Ai gjithashtu ka shprehur dyshimin në pretendime të Arabisë Saudite se Khashoggi e ka braktisur konsullatën më 2 tetor shëndosh e mirë, e më pas është zhdukur, transmeton AP./Insajderi.com.