Trump dhe Macron, pajtohen që Rusia të ftohet në G-7 vitin tjetër

Presidenti i SHBA Donald Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë rënë dakord se Rusia duhet të ftohet për të marrë pjesë në samitin e G-7 vitin e ardhshëm, megjithëse udhëheqësi francez dëshiron që ftesa të jepet me kusht që Rusia të bëjë përparim në bisedimet për paqen në Ukrainë.

Trump dhe Macron, pajtohen që Rusia të ftohet në G-7 vitin tjetër

Rusia duhet të jetë pjesë e G7 thotë presidenti Trump, duke fajësuar ish-presidentin Barack Obama për pezullimin e Rusisë nga ky grup në vitin 2014.

“Për shkak se Putini ia hodhi, presidenti Obama mendoi se nuk ishte gjë e mirë që Rusia të ishte pjesë e grupit, prandaj kërkoi daljen e saj,” tha Presidenti Trump.

Ajo që dihet është se ish-presidenti Obama dhe një shumicë e vendeve të G-8s donin daljen e Rusisë, pasi presidenti rus Vladimir Putin aneksoi Krimenë nga Ukraina

Në një bisedë telefonike me Trump, presidenti francez Macron u pajtua se pezullimi i Rusisë duhet të hiqet, por me një parakusht shumë të qartë: që të ketë përparim në bisedimet e paqes për Ukrainën.

Disa në bashkësinë diplomatike besojnë se arritja e rezultateve të prekshme në këto bisedime duhet të përcaktojë nëse G-7 mund të bëhet përsëri G-8 me pjesëmarrjen e Rusisë në vitin 2020.

Në Moskë, kreu i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës së Shtetit, Leonid Slutsky, i tha agjencisë së lajmeve TASS se kthimi në G-8 nuk është qëllim i parësor për Rusinë.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thonë se presidenti Trump pritet ta ngrejë çështjen nëse Rusia duhet të kthehet në tryezë kur G-7 të mblidhet në Francë këtë fundjavë.