Trump do të përdor veton nëse Kongresi voton kundër ngritjes së murit

Trump do të përdor veton nëse Kongresi voton kundër ngritjes së murit

Presidenti i SHBA-së Donald Trump është i gatshëm të përdorë veton nëse Kongresi shprehet kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme përgjatë kufirit me Meksikën.

Kështu ka deklaruar këshilltari i lartë i Trump, Stephen Miller për TV Fox.

“Ai do të mbrojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme,” tha Miller, kur u pyet nëse Trump do të përdorë veto nëse Kongresi nuk e mbështet vendimin e tij, raporton Associated Press.

Trump njoftoi të premten gjendjen e jashtëzakonshme në kufi me Meksikën me dëshirën për të shmangur Kongresin në financimin e murit, një lëvizje e kundërshtuar nga demokratët, të cilët refuzojnë që në buxhet të përfshihen 5.7 miliardë dollarë sa nevojiten për ngritjen e tij.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme e lejon Trump të përdorë fondet federale, por ai është duke u përballur me sfida ligjore dhe politike, transmeton KosovaPress.

Demokratët në Kongres planifikojnë të paraqesin një projekt-rezolutë për refuzimin e publikimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Disa republikanë lanë të kuptohen se ai do të jetë në gjendje për të votuar për këtë propozim, por, siç vlerëson AP, çështja është nëse do të ketë vota të mjaftueshme për të anuluar  veton e presidentit.