Donald Trump i mposhti të gjithë, fillimisht republikanët tradicionalë në garën brenda partisë së tyre, e më pas edhe demokratët në zgjedhjet presidenciale. Ai arriti të bëhet presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Manjati njujorkez i pasurive të paluajtshme ka befasuar me rezultatin e arritur duke siguruar 288 vota elektorale.
Ndryshe nga fushata, që u shoqërua me deklarata kontroverse të tij, në fjalimin e parë si President i zgjedhur, Trump përcolli mesazhe bashkimi.
“Unë do të jem President i gjithë amerikanëve dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua. Premtoj të punoj edhe me ata që nuk më mbështetën për të bashkuar vendin tonë të madh. Fushata jonë ishte një lëvizje e madhe, nga njerëz që duan një vend më të mirë për veten, familjen. Është një lëvizje që përfshin të gjitha racat, gjinitë, fetë për ta bërë Amerikën të madhe sërish”, tha ai.
“Gjatë mandatit tim unë do ta vendos interesin e SHBA-ve mbi të gjitha. Ne duam partnership dhe jo konflikt”, tha ndër të tjera në fjalimin e parë Trump.
Trump gjithashtu tregoi se vet Hillary Clinton e kishte telefonuar presidentin e zgjedhur të SHBA dhe e ka uruar atë për fitoren.
“Sapo mora një telefonatë nga Hillary Clinton dhe ajo na përgëzoi të gjithëve për fitoren tonë. Unë e falenderova atë për fushatën elektorale të ashpër që zhvilluam bashkë. Hillary ka punuar gjatë dhe i shpreh mirënjohjen për atë që ka bërë për vendin tonë. Është koha që Amerika të shërojë plagët e përçarjes dhe republikanët dhe demokratët përgjatë vendit të bëhën bashkë si një komb i bashkuar”, nisi fjalën e tij Trump. /Insajderi.com