fbpx

Trump, ngushëllime presidentit francez për katedralen

Presidenti Donald Trump gjatë një telefonate të martën i shprehu ngushëllime presidentit francez Emmanuel Macron për zjarrin në katedralen e famshme Notre-Dame dhe ofroi ndihmën e SHBA për restaurimin e katedrales, tha Shtëpia e Bardhë.

Trump, ngushëllime presidentit francez për katedralen

“Notre Dame do të vazhdojë të shërbejë si simbol i Francës, duke përfshirë lirinë e fesë dhe demokracinë e saj,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders në një deklaratë. “Ne kujtojmë me mirënjohje në zemër kambanat e Notrë Damës që ranë në 12 shtator 2001, si kujtesë solemne për sulmet tragjike të 11 shtatorit në tokën amerikane. Kambanat do të tingëllojnë përsëri,” tha zonja Sanders.

Presidenti Macron ka premtuar rindërtimin e katedrales, e cila konsiderohet ndër shembujt më të mirë të arkitekturës gotike evropiane dhe vizitohet çdo vit nga më shumë se 13 milionë njerëz nga e gjithë bota.

Brenda 24 orëve nga zjarri i së hënës, kompani të ndryshme dhe autoritetet lokale franceze kishin premtuar më shumë se 700 miliardë euro për të rindërtuar katedralen, duke përfshirë 500 milionë nga tre familjet miliardere që zotërojnë perandoritë e mallrave luksoze të Francës Kering, LVMH dhe L’Oreal.

Zjarri gjithashtu solli mbledhje fondesh mes amerikanëve. Shoqata Franceze e Trashëgimisë me qendër në Nju Jork dhe Fondi Go Fund Me ishin midis të parëve që po ofrojnë ndihmë.

Shoqata e trashëgimisë Fondation du Patrimoine tha se ishte tepër herët për të vlerësuar koston e dëmeve. Autoritetet thonë se zjarri mund të jetë shkaktuar aksidentalisht.