fbpx

Trump: SHBA do të dërgojnë 1000 trupa shtesë në Poloni

Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë 1000 trupa të tjera në Poloni.

Trump: SHBA do të dërgojnë 1000 trupa shtesë në Poloni

Ai foli për dërgimin e trupave shtesë gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me presidentin polak Andrzej Duda. Para se dy presidentët të fillonin komentet, një avion F-35 fluturoi mbi Shtëpinë e Bardhë për të theksuar planin e Polonisë për të blerë avionë të këtij lloji.

Presidenti Trump njoftoi ndërkohë një zgjerim të aleancës së sigurisë dhe asaj ekonomike me Poloninë.

Ai tha se qeveria polake do të paguajë për infrastrukturën që mbështet trupat shtesë. Ai gjithashtu përgëzoi Poloninë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO, transmeton VOA.

Presidenti Trump tha se dy vendet kanë rënë dakord të rrisin shitjet e gazit të lëngshëm natyror në Poloni për të demonstruar një bashkëpunim ekonomik në rritje mes dy vendeve.

Zoti Trump tha më parë se nuk do të ketë rritje të trupave amerikane në Evropë, por ato do të qarkullohen nga vende të tjera.

Ai tha gjithashtu se po shqyrtonte sanksione ndaj projektit të gazsjellësit Nord Stream 2 të Rusisë dhe paralajmëroi Gjermaninë që të mos varej nga Rusia për energji.

Nord Stream 2 ka e ka ndarë Bashkimin Evropian. Vendet e Europës lindore, nordike dhe baltike e shohin gazsjellësin prej 1,225 kilometrash që është në ndërtim e sipër, si rritje e mbështetjes së BE-së për Moskën, ndërsa ato në Evropën veriore, veçanërisht Gjermania, shohin përfitime ekonomike te ky projekt.