Turpërimi i pjesëtarëve të sigurisë së Kosovës ndër vite nga Serbia

Turpërimi i pjesëtarëve të sigurisë së Kosovës ndër vite nga Serbia

Të lidhur dhe të shtrirë në tokë policët kosovarë kishin përfunduar të arrestuar nga policia serbe gjashtë vjet më parë. Policët ishin turpëruar nga mediat serbe kur ishin publikuar fotografi të tyre të çarmatosur, të lidhur dhe të shtrirë në tokë.

Por përveç rastit të vitit 2012, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, ishte arrestuar nga Serbia për të qëndruar rreth një muaj në paraburgim. Kur mendohej se shtetasit e Kosovës nuk do të arrestoheshin më, Serbia ka arrestuar edhe sot një ushtar të Kosovës.

Më 31 mars të vitit 2012 ministri i Brendshëm i asaj kohe të Serbisë, Ivica Daçiq kishte mbajtur një konferencë për media ku kishe dëshmuar arrestimin e policëve të Kosovës.

“Çfarë kanë lypur ata në territorin e Serbisë dhe sipas cilës marrëveshje. Serbia nuk do t’i durojë më këto akte”, kishte deklaruar Daçiq.

Kur kishin kaluar gjashtë vite, shteti i Serbisë kishte ‘grabitur’ edhe një polic të Kosovës. Kësaj radhe ai kishte qenë me pozitë të lartë. Nehat Thaçi drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës ishte arrestuar në shtator të vitit 2016, teksa po udhëtonte me një mik të tij.

Ai ishte ndaluar në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” ku më pas kishte qëndruar në paraburgim për rreth një muaj. Thaçi ishte arrestuar nën dyshimet për krime lufte.

Dy vite kanë kaluar që nga rasti i Nehat Thaçit, Serbia është kthyer përsëri në arrestimin e zyrtarëve të sigurisë së Kosovës. Gjatë ditës së sotme është arrestuar një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Milosh Shoshiq është arrestuar sot dhe është liruar nga Serbia pa u bërë të ditura ende arsyet.

Arrestimi i tij ka ardhur vetëm një javë pas kërcënimit të Marko Gjuriqit, drejtorit të ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë se çdo serb që i bashkohet FSK-së do të dënohet me burg.

Gjuriq kishte thënë se në bazë të ligjeve të Serbisë pjesëmarrja e serbëve në forcat ilegale të armatosura është e dënueshme deri në 10 vjet burgim, shkruan Insajderi.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha në një bisedë të shkurtë sot për Insajderin ka konfirmuar lirimin e ushtarit kosovar, teksa nuk ka përjashtuar mundësinë që arrestimi i Shoshiqit të ketë ndodhur për shkak të kërcënimeve nga Gjuriq.

“Nuk kemi informacioni definitive lidhur me arsyet e arrestimit të tij. Por, dyshimet e para janë deklarimet e Marko Gjuriqit. Këtu mund të jetë arsyeja pse është bërë arrestimi i tij”, ka deklaruar Berisha për Insajderin.

Kujtojmë se përveç policëve të Kosovës dhe ushtarit të FSK-së me kërkesën e Serbisë nga autoritete sllovene dhe ato franceze ishte arrestuar kryeministri i sotëm i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai kishte qëndruar në paraburgim për rreth tre muaj në Francë ku më pas ishte refuzua kërkesa e Serbisë për ekstradimin e tij. Serbia po ashtu javë më parë ka paralajmëruar se arrestimi i kosovarëve në krye me Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn janë kthyer në listën e Interpolit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka kërcënuar gjatë ditës së djeshme kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se do të arrestohet nëse futet në territorin e Serbisë.

“Është në fuqi urdhri për arrestimin e tij dhe gjithsesi që do të arrestohet nëse mund të kapet nga Policia”, ka deklaruar Stefanoviq./Insajderi.com