Turqia dërgon përforcim në veri të Sirisë

Një kolonë e ushtrisë turke është dërguar në afërsi të Manbixhit, qytetit në kontroll të forcave kurde, të cilët po i përkrahin SHBA.

Turqia dërgon përforcim në veri të Sirisë

Turqia ka dërguar përforcim ushtarak në afërsi të qytetit sirian Manbixh i cili është nën kontroll të forcave të cilat, nën përkrahje të SHBA, po i udhëheqin kurdët, ka publikuar Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut.

Agjencia e lajmeve turke IHA, gjithashtu ka lajmëruar se kolona e ushtrisë turke është dërguar në Siri gjatë natës.

Turqia ka dërguar përforcim edhe pse kohë më parë ka kumtuar se do ta shtyjë ofensivën të cilën e ka premtuar në lindje të Sirisë, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump t’i tërheqë forcat amerikane nga ky vend, lajmëron AP.

Mirëpo, Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani të Madhe, pretendon se përforcimi është dërguar në vijën e frontit me Manbixh, qytetin në të cilin janë të stacionuar ushtarët amerikan.

Observatori pretendon se 50 automjete me ushtarë dhe pajisje kanë kaluar në Siri./Insajderi.com.