Rreth dy muaj pasi ishte arratisur nga Qendra Klinike Universitare, Policia e Kosovës e ka arrestuar sot Adhurim Lepajën, të dyshuarin për përfshirje në plagosjen e Met Elshanit, pronarit të labelit muzikor, On Records.
Policia e Kosovës njoftoi sot se Adhurim Lepaja është arrestuar sot së bashku me D.K., po ashtu i dyshuar për “tentim vrasje”, tek lokacioni i njohur si “Kafet e Vogla” në rrugën Fehmi Agani, në Prishtinë.
Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, ka thënë për Insajderin se dy të dyshuarit janë arrestuar rreth orës 16:30.
“Rreth orës 16:30 nga njësiti i reagimit të shpejt në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë janë arrestuar dy perosna me inicialet A.L dhe D.K të cilët kanë qenë në kërkim policor për një rast “tentim vrasje”. Aktualisht hetuesi janë duke ndërmarr të gjitha masat konform autorizimeve ligjore, ndërkohë që personat e dyshuar janë duke u intervistuar”, ka thënë sot Ahmeti për Insajderin.
Më 17 Maj të këtij viti ishte plagosur menaxheri i label-it ‘On Records’, Met Elshani.
Reagimi i shpejtë i Policisë së Kosovës, kishte bërë që katër të dyshuarit lidhur me ngjarjen të arrestoheshin disa minuta pas plagosjes në lagjen Lakrishtë të Prishtinës, përderisa ndodheshin në një taksi duke shkuar për në Fushë-Kosovë.
Pasi kishin parë policinë, të dyshuarit kishin provuar të ikin përsëri por plani iu kishte dështuar.
Njëri nga të arrestuarit, ishte edhe Adhurim Lepaja i cili gjithashtu kishte marrë një plagë gjatë përleshjes.
Lepaja ishte person i njohur për Policinë e Kosovës, pasi që dyshohej edhe për vepra të tjera kriminale.
E për shkak të plagës së marrë, i dyshuari në fjalë ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ku edhe ruhej nga gardianët.
Edhe pse në masë të paraburgimit, Adhurim Lepaja kishte arritur që të arratisej nga spitali pasi që dyshohet se gardianët që kujdeseshin për të, pas konsumimit të pijeve që iu kishin shërbyer, kishin rënë në gjumë, duke i dhënë hapësirë kështu të dyshuarit të ikte nga Klinika Ortopedike.
Policia kishte njoftuar opinionin se të dy zyrtarët policor ishin shoqëruar për në stacion për të zbardhur rastin se si erdhi deri tek arratisja e të dyshuarit kryesor, përderisa të dy ishin suspenduar nga detyra.
Deri pasditën e sotme, Lepaja kishte lëvizur lirshëm, ndonëse është i dyshuar për “tentim vrasjen” e Elshanit. /Insajderi.com