U është refuzuar kërkesa, por rreth 70 mijë kosovarë po qëndrojnë në Gjermani

U është refuzuar kërkesa, por rreth 70 mijë kosovarë po qëndrojnë në Gjermani

Më shumë se gjashtëdhjetë e tetë mijë (68,144) kosovarë që u është refuzuar kërkesa për azil në Gjermani, vazhdojnë të qëndrojnë në shtetin evropian.

Për këtë qëndrim, shkruan gazeta gjermane “Die Welt”, azilkërkuesit e refuzuar nga Gjermania po vazhdojnë të qëndrojnë për disa arsye. Disa janë të sëmurë, teksa disa nuk marrin dokumentet nga shteti i tyre, Kosova.

Në një njoftim për medie, Qeveria Federale e Gjermanisë ka bërë të ditur se 68,114 persona është numri i saktë i azilkërkuesve nga Kosova të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, por vazhdojnë të qëndrojnë në Gjermani.

Qeveria gjermane ka bërë të ditur se numri i plotë i të huajve që vazhdojnë të qëndrojnë në Gjermani, pavarësisht kërkesës së refuzuar për azil, është 556 mijë e 499, shkruan Insajderi.

Numrin më të madh të azilkërkuesve të tillë e ka Turqia me rreth 76 mijë, mbi tetë mijë më shumë se Kosova.

Ndërsa Serbia dhe Afganistani plotësojnë katër vendet e para me më së shumti azilkërkues në Gjermani, që vazhdojnë të qëndrojnë në shtetin gjerman edhe pse u është refuzuar kërkesa për azil. Numri i serbëve azilkërkues është rreth 50 mijë, ndërsa i afganëve mbi 32 mijë.

Gjithsesi vetëm një numër i vogël i këtyre azilkërkuesve duhet të frikësohet nga depërtimi, pasi shumica prej tyre e kanë pothuajse të sigurt qëndrimin në Gjermani, raporton “Die Welt”.

Katërdhjetë e gjashtë për qind e këtyre azilkërkuesve kanë të drejtë rezidence në Gjermani, ka bërë të ditur Qeveria Federale e Gjermanisë. Teksa tridhjetë e katër për qind e azilkërkuesve kanë një leje qëndrimi të përkohshme.

Gjermania është njëra nga shtetet që ka pranuar më së shumti refugjatë në Evropë.

Partitë e krahut të djathtë në Gjermani kanë kritikuar kancelarin gjermane Angela Merkel për politikat e saja pro-refugjatëve. /Insajderi.com